Radar
A po përgatitet Donald Trump për luftë me Iranin?
Shkruar nga Pierre Haski*Donald Trump /
“Çdo e shtënë nga rebelët Huthi, do të cilësohet nga ky moment e tutje si e gjuajtur nga armët dhe udhëheqja e Iranit. Dhe Irani do të jetë përgjegjës dhe do të vuajë pasojat, që do të jenë të tmerrshme!”.
Donald Trump e tha vazhdimisht gjatë fushatës: Ishte presidenti që nuk kishte nisur ndonjë luftë të re në mandatin e tij të parë. Ndërsa gjatë ceremonisë së inaugurimit më 20 janar, deklaroi: “Ne do ta matim suksesin tonë jo vetëm me betejat që fitojmë, por edhe me luftërat që do t’i japim fund, dhe ndoshta më e rëndësishmja, me luftërat në të cilat nuk do të hyjmë asnjëherë”.
Megjithatë, më pak se dy muaj nga fillimi i mandatit të tij të dytë, ai ka urdhëruar një operacion të rëndësishëm ushtarak: sulme të mëdha ajrore në zonat e kontrolluara nga rebelët Huthi në Jemen. Dhe përmes këtyre të fundit, ai po i dërgon një paralajmërim të qartë mbështetësit të tyre, Iranit.
Që nga 7 tetori i vitit 2023, në mesin e luftërave në Gaza dhe Liban, Huthit e mbështetur nga Irani kanë hapur një “front” të ri në Detin e Kuq, duke e detyruar një pjesë të anijeve tregtare të ndryshojnë kurs përreth Afrikës, për shkak të qasjes së kufizuar në Kanalin e Suezit.
Kërcënimi i drejtpërdrejtë i Trump për veprimet e Iranit dhe rebelëve Huthi
Shtetet e Bashkuara, Britania Madhe dhe Izraeli, i kanë bombarduar vazhdimisht pozicionet e rebelëve Huthi, por nuk kanë arritur ta eliminojnë kërcënimin. Sulmet u ndalën disi vetëm pas armëpushimeve në Liban dhe më pas në Gaza.
Megjithatë, rebelet rifilluan sulmet e tyre kur Izraeli vendosi një bllokadë të re për ndihmën humanitare për Gazën rreth 10 ditë më parë. (Ndërkohë, Izraeli rifilloi edhe bombardimin e Gazës në orët e para të së martës, teksa Hamasi raportoi qindra të vdekur).
Dhe ky është momenti kur hyri në skenë Trump. Presidenti amerikan urdhëroi goditjen e portit Hodeida dhe shkatërrimin e një termocentrali në Sana’a, kryeqytetin e Jemenit. Burimet që i referohen rebelëve Huthi, raportojnë më shumë se 50 të vdekur.
Por krahas këtyre sulmeve ajrore, ai bëri një paralajmërim të fortë në platformën e tij të mediave sociale: “Çdo e shtënë nga rebelët Huthi, do të cilësohet nga ky moment e tutje si e gjuajtur nga armët dhe udhëheqja e Iranit. Dhe Irani do të jetë përgjegjës dhe do të vuajë pasojat, që do të jenë të tmerrshme!”.
Mesazhi i tij erdhi në kundërpërgjigje ndaj një rakete të rebelëve Huthi, të lëshuar në drejtim të aeroplanmbajtëses amerikane “Harry Truman”. Përtej retorikës së zakonshme të Trump, në këto kërcënime ka një përshkallëzim të vërtetë. Deri tani, çdo “front” ishte trajtuar veçmas.
Por tani, Trump po e mban drejtpërdrejt përgjegjës Teheranin për veprimet e përfaqësuesve të tij, anëtarë të së ashtuquajturit “Boshti i Rezistencës”, i dobësuar ndjeshëm gjatë 18 muajve të fundit të konfliktit.
Negociatat bërthamore dhe rreziku i luftës
A është Donald Trump gati që të sulmojë direkt Iranin? Në komunikimet e tij, ka gjithmonë mesazhe të fshehura. Edhe pse i urdhëroi këto bombardime, presidenti amerikan i dërgoi vetëm 10 ditë më parë një letër udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, duke propozuar zhvillimin e negociatave të reja për programin bërthamor iranian.
Për ta shtyrë Iranin drejt një kompromisi, Trump po përdor një strategji të dyfishtë: nga njëra anë, duke ofruar negociata dhe nga ana tjetër, duke ushtruar “presion maksimal”, përfshirë opsionin ushtarak, të cilin sulmet ndaj rebelëve Huthi, synojnë që ta bëjnë më të besueshëm.
Uashingtoni beson se Irani është shumë afër arritjes së pragut bërthamor, pikë në të cilën mund të zhvillojë një bombë atomike. Trump është i vendosur të parandalojë që Irani të bëhet një fuqi bërthamore gjatë mandatit të tij, duke e parë atë si një dështim personal nëse ndodh kjo.
Megjithatë, një luftë me Iranin do të kishte pasoja të paparashikueshme, të cilat vende të caktuara me lidhje të ngushta me Shtetet e Bashkuara si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, do të duan t’i shmangin. Por njëherazi, është një rrezik që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është i gatshëm ta ndërmarrë. Nëpërmjet Jemenit, Donald Trump përballet me një vendim shumë më domethënës: “komandanti përgjithshëm” mburret për përfundimin e luftërave, por mund të ketë filluar tashmë një të tillë.