Aktualitet
Linda Rama në Samitin e Forbes në Abu Dhabi: “Shqipëria ka mësuar nga pësimet”
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, në Abu Dhabi u zhvillua samiti prestigjioz “Forbes 2025”, një ngjarje që mbledh personalitete të shquara nga politika, arti, shoqëria civile dhe biznesi, përfaqësues nga të paktën 50 vende të botës.
Ndër të ftuarat e këtij viti ishte edhe Linda Rama, ekonomiste, avokate për të drejtat dhe bashkëshortja e kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Në këtë forum, ajo bisedoi me Mika Brzezinski — gazetarja dhe moderatorja e njohur e emisionit “Morning Joe” në MSNBC — mbi temën “Fuqia pas Progresit”.
Në fjalën e saj, Linda Rama u ndal te periudha e komunizmit në Shqipëri, duke theksuar se “problemi më i madh që trashëgoi komunizmi nuk ishte varfëria, por traumat sociale”. Ajo përmendi sfidat e viteve të para pas rënies së sistemit në 1991, duke theksuar se “mësimet më të mëdha i nxorëm nga pësimet — dhe të mësosh nga pësimet është e dhimbshme dhe e kushtueshme”.
Një mesazh i rëndësishëm në diskutimin e saj ishte rëndësia e edukimit të brezave të rinj për të vlerësuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre: “Të mësojmë fëmijët të vlerësojnë të drejtat dhe t’i mbrojnë ato. E përditshmja nuk duhet të na shpërqendrojë nga përpjekjet për avancimin e të drejtave, veçanërisht në kohën e revolucionit teknologjik dhe digjital”, u shpreh ajo.
Duke folur për rrugëtimin e Shqipërisë drejt progresit, Linda Rama theksoi se vendi nuk ka qenë vetëm në këtë tranzicion: “Bota demokratike ka qenë dhe është me ne”. Ajo kujtoi me krenari arritjet e Shqipërisë në vitet e fundit, si hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe pozicionimi si vendi me rritjen më të madhe të turizmit në Europë.
Fjalën e saj, Linda Rama e mbylli me një ftesë të sinqertë për të vizituar Shqipërinë: “Vizitoni Shqipërinë. Nëse vini një herë, e dimë që do të na vizitoni përsëri”.