Sport
LeBron James, lojtari i parë që shënon 50 mijë pikë në NBA!

LeBron James u bë lojtari i parë në historinë e NBA që shënon 50 000 pikë, ndërsa ndihmoi Los Angeles Lakers të triumfojnë ndaj New Orleans Pelicans, shkruan A2 CNN. Amerikani 40-vjeçar e arriti këtë shifër historike herët në periodën e parë të fitores 136-115 të Lakers.
James, i cili është shënuesi më i mirë në historinë e NBA, e përfundoi ndeshjen me 34 pikë, duke e çuar totalin e tij në karrierë në 60 149 – 6,000 pikë më shumë se Kareem Abdul-Jabbar, që mban vendin e dytë.
Gjithsej, James ka shënuar një rekord prej 41 871 pikësh në sezonin e rregullt, duke shtuar edhe 8,162 pikë në fazën e play-off-it, ku ai gjithashtu kryeson listën e shënuesve më të mirë. “Nuk do ta fsheh – është një numër i jashtëzakonshëm pikësh”, tha James.
“Jam tepër i bekuar që kam mundur të shënoj kaq shumë pikë gjatë karrierës sime në ligën më të mirë në botë dhe kundër lojtarëve më të mirë në botë, është diçka shumë e veçantë”.
James arriti këtë rekord në sezonin e tij të 22-të, duke u barazuar me Vince Carter për numrin më të madh të sezoneve të luajtura në historinë e NBA.
Legjenda e Lakers, Earvin “Magic” Johnson, ishte ndër të parët që e përgëzoi James për këtë arritje historike në rrjetet sociale. “Urime Mbretit LeBron James që u bë lojtari i vetëm në historinë e NBA që shënon 50 000 pikë në sezonin e rregullt dhe në play-off!”, shkroi Johnson në X.