Radar
Berisha: Vrasja e Mehmet Shehut e ka një ngjashmëri me rastin e Veliajt

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se ka një ngjashmëri mes vrasjes së Mehmet Shehut dhe arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt.
Berisha tha se ngjashmëria qëndron te fakti se ishte kryeministri Edi Rama që e çoi në burg se e di se humbet zgjedhjet dhe nuk donte që Veliaj t’i merrte partinë.
Sipas tij edhe Enver Hoxha nuk donte ta merrte Mehmeti partinë. Më tej kryedemokrati tha se zgjedhjet e 11 majit janë fati dhe shpëtimi i Shqipërisë.
“Kush ka jetuar diktaturën, kur u vra Mehmet Shehu, e ka një ngjashmëri me këtë të Erion Veliajt. Ua them unë ju, e ka një ngjashmëri. Absolutisht! E ka, se Aulon e shoh që po më sheh me çudi, po e ka.
Pse e ka ngjashmërinë tani se mos kaloj nga tema në temë? E ka ngjashmërinë, se Erion Veliaj, unë ua thashë, i meriton 60 vite minimumi realisht, por problemi është se Edi Rama nuk e dënoi për ato.
Jo mor jo, e dënoi se e di se humbet zgjedhjet dhe nuk do që të merrte partinë. Njëlloj si Mehmeti. Enveri nuk donte që ta merrte Mehmeti. Po, absolutisht. Pra, një prokurori politike është një fatkeqësi kombëtare dhe o burra, t’i dalim zot.
Si mund t’i dilet zot? Po erdhi ai në Mynih dhe të tha, ju e keni armikun brenda, ju arrestoni opozitat, ju arrestoni gazetarët. Të gjitha kanë ndodhur në Shqipëri.
Ndaj dhe këto zgjedhje janë fati i Shqipërisë. Janë shpëtimi i Shqipërisë. Janë shpëtimi i familjes shqiptare. Dhe absolutisht një kthesë thelbësore për ekzistencën e këtij kombi!”, u shpreh Berisha.