Temporal
Perëndimi i interesuar për pasuritë e mëdha nëntokësore në Ukrainë dhe jo për fatin e luftës
”Marrëdhëniet ekonomike (falë mineraleve) krijojnë lidhjen me Amerikën, dhe vlejnë shumë më tepër se mposhtja e Putinit!…”
Janë momente të rastësishme, që të krijojnë në mendje një perspektivë tërësisht të re. Mua më ndodhi të enjten e shkuar, kur Donald Trump filloi të fliste për Ukrainën në një lidhje online me Forumin Ekonomik Botëror. Unë isha në sallë. Presidenti i Shteteve të Bashkuara donte të fliste mbi masakrën e ushtarëve dhe civilëve, për rëndësinë e uljes së çmimit të naftës për të pakësuar të ardhurat e Rusisë dhe për ta detyruar atë të negociojë një armëpushim.
Por ai e filloi fjalimin me një gjysmëfjalë që aludonte për diçka tjetër: ”Këtu nuk po flas për burimet natyrore, po për jetën e njerëzve….”. Por pse ideja e parë që i kaloi Trumpit në mendje ishin “burimet natyrore”? U përpoqa të përfitoja nga prania në Davos e shumë aktorëve të konfliktit të Ukrainës, e atyre që lëvizin në prapaskenë.
Nga bisedat me ta, kuptova se përgatitjet për negociatat për armëpushimin janë të ndara në 3 dosje: njëra për çështjet ushtarake, dhe dy të tjerat për çështjet ekonomike. Qeveria e Volodymyr Zelensky-t e ka ditur prej muajsh se duhet të përballet me realitetin ashtu siç është.
Pra që Ukraina nuk do të anëtarësohet në NATO për sa kohë që Putin është gjallë; nuk do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian ndoshta edhe për të paktën 10 vjet të tjera; dhe që administrata Trump nuk do ta ndihmojë nëse s’ka vetë interesa të veçanta të menjëhershme.
Ndaj Kievi ka tani një strategji të re. Sot Zelensky nuk përpiqet dhe aq për të përshpejtuar integrimin me Perëndimin në bazë të traktateve formale, por të interesave të prekshme; për qeveritë evropiane, por mbi të gjitha për SHBA-në. Ukraina po përpiqet t’u ofrojë diçka që do t’i joshë ato.
Le të shohim me radhë se çfarë ndodh me të tria dosjet, duke filluar nga ajo ushtarake. Shumëçka po luhet për “garancitë e sigurisë”, që kërkon Ukraina në rastin e një armëpushimi, që të mos rrezikohet nga sulmet e reja pas atyre të 2014 dhe 2022-shit. Një kontigjent i mundshëm paqeruajtës përgjatë vijës së kontaktit midis dy ushtrive, do të jetë një element bazë i mbrojtjes së besueshme të Ukrainës.
Macron dhe Trump filluan të bisedojnë për një kontigjent të tillë ditën e inaugurimit të Notre-Dame. Franca po e diskuton këtë çështje edhe me Britaninë, Poloninë dhe Gjermaninë. Por asnjë qeveri evropiane, nuk e pranon sot angazhimin e saj ushtarak paqeruajtës në Ukrainë, pa pasur më parë garanci se mund të llogarisë mbështetjen e SHBA-së, nëse ndërlikohet situata në terren.
Kostoja e një operacioni paqeje të mundshëm dhe e garancive për Ukrainën është aq e lartë, sa që po flitet sërish për sekuestrimin e rezervave të ngrira ruse me vlerë rreth 250 miliardë euro. Por edhe për këtë Evropa është e përçarë dhe larg një marrëveshjeje. Ndërkohë, fronti ukrainas në Donbas është nën presion.
Kostoja në jetë njerëzore nga të dyja palët është e tmerrshme. Morali i trupave të Kievit është i ulët, dhe disa njerëz shumë të informuar nuk përjashtojnë më një çarje të mundshme në disa pika të vijës mbrojtëse dhe përparimin e shpejtë të rusëve në zona të caktuara.
Kjo është edhe arsyeja kryesore, pse tani për tani Putin nuk është i gatshëm të diskutojë asgjë tjetër, përveç një kapitullimi de fakto të Ukrainës. Ai dëshiron ta nënshtrojë Ukrainën, ashtu si në ditën e parë të luftës. Por duket se bashkëpunëtorët e tij më të afërt, nuk kanë guxuar ta informojnë më qartë për të çarat që po hapen në ekonominë ruse.
Tani kalojmë tek 2 tryezat e tjera, të cilat synojnë të krijojnë një marrëveshje tregtare me Trump dhe ta integrojnë Ukrainën në ekonomitë perëndimore. E para nga të dyja, ka të bëjë me prodhimin e armëve dhe mjeteve ushtarake.
Në 35 muaj luftë, Ukraina është transformuar në industrinë më aktive dhe me kosto të ulët të mbrojtjes në Evropë, duke prodhuar nga e para 2 milionë dronë lufte në vit, artileri, automjete, raketa me rreze të mesme veprimi.
Mungesa totale e kufizimeve në industrinë e re ushtarake dhe efikasiteti i prodhuesve të saj janë të tilla, saqë ka një pakt që një pjesë e paketës së fundit të ndihmës të BE – me vlerë gati 40 miliardë euro – të përdoret pikërisht për këtë arsye. Por ky është vetëm hapi i parë.
Oferta e Kievit, veçanërisht pas një armëpushimi të mundshëm, është të ndërtojë në Ukrainë pjesë dhe komponentë të mjeteve të mbrojtjes për ushtritë evropiane dhe gjithashtu për Shtetet e Bashkuara: dronë, predha dhe gjithçka që kompanitë vendase prodhojnë tashmë për forcat e Kievit.
Avantazhi për qeveritë perëndimore – duke pasur parasysh buxhetet e tyre gjithmonë nën presion – është zhvendosja e disa prodhimeve ushtarake në një vend fqinj aleat, efikas dhe me kosto të ulët. Avantazhi për Ukrainën, do të ishte pasja e një roli të madh tek zinxhirët strategjikë të furnizimit të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara.
Do të ishte një formë konkrete e integrimit në ekonominë dhe politikën e Perëndimit. Ajo do ta bënte më e vështirë tërheqjen apo braktisjen e saj në mëshirën e Rusisë. Dhe me sa jam informuar, kjo ide po merret shumë seriozisht në disa vende të G7. Por më shumë lëvizje ka mbi dosjen e tretë.
Ukraina ka shumë rezerva të mineraleve strategjike, nga të cilat vendet perëndimore varen shpesh nga Kina, Rusia apo satelitët e tyre. Midis tyre është beriliumi, i prodhuar deri tani vetëm nga Kina, Kazakistani dhe Shtetet e Bashkuara. Ai përdoret ndër të tjera në reaktorët dhe armët bërthamore, instrumentet shumë të sakta, motorët e raketave, satelitët dhe mjetet ajrore.
Pastaj është litiumi. Kina është prodhuesi i tretë më i madh në botë. Bashkimi Evropian nuk ka thuajse fare rezerva. Ai është shumë i domosdoshëm ndër të tjera për bateritë, industrinë bërthamore, fotovoltaikët, kompjuterët dhe telefonat inteligjentë.
Grafiti është një tjetër mineral, gjithnjë e më shumë i përdorshëm tek bateritë, aviacioni dhe industria mekanike. Kina kontrollon 77 për qind të tregut botëror të titanit. Ai është i domosdoshëm për industri si aviacioni, kantieret detare, makinat, instrumentet mjekësore etj.
Dhe pastaj është përsëri ari, zirkoniumi, tantali, kobalti dhe natyrisht gazi natyror. Sasitë e vërtetuara të litiumit, titanit dhe uraniumit në Ukrainë janë një sekret shtetëror. Por duket se vendi ka 1/3 e burimeve evropiane dhe 3 për qind të burimeve të litiumit në botë.
Për titanin Ukraina është vendi kryesor në Evropë, dhe pavarësisht luftës jep 6 për qind të prodhimit botëror të përqendruar në rajone larg frontit. Qeveria e Kievit pretendon se ka rezerva 343 milionë ton grafit, duke u renditur ndër 5 vendet e para në botë. Zelensky dhe njerëzit pranë tij sot po nxitojnë të nxjerrin në ankand licencat për shfrytëzimin e depozitave, sepse po përpiqen të lidhin nëpërmjet tyre Ukrainën me interesat perëndimore.
Në një takim në Davos dëgjova zëvendësministrin ukrainas të ekonomisë Oleksiy Sobolev të thoshte: “Nëse prisni dhe ngurroni të investoni në burimet tona natyrore, do i lini hapësirë konkurrentëve”. Ndaj francezët, gjermanët, pjesërisht kanadezët dhe mbi të gjitha amerikanët po lëvizin.
Parisi është i interesuar për uranium për termocentralet atomike dhe për titanin për zinxhirin e furnizimit të Airbus. Në Davos ishte edhe admirali në pension të marinës amerikane, Michael Hewitt, me shumë lidhje me republikanët në Uashington, tani shumë aktiv në lidhje me mineralet e Ukrainës përmes kompanisë së tij Ip3 International.
Hewitt tha në Davos:”Marrëdhëniet ekonomike (falë mineraleve) krijojnë lidhjen me Amerikën, dhe vlejnë shumë më tepër se mposhtja e Putinit! Pas 15 vitesh do të flasim për Ukrainën si sot për Arabinë Saudite. Uraniumi i saj, do të jetë thelbësor për industrinë bërthamore që do të fuqizojë qendrat e të dhënave për inteligjencën artificiale në Shtetet e Bashkuara. Do të jetë pjesë e fushës së energjisë. Ky vend do të jetë një interes kombëtar jetik për Amerikën dhe kjo ka më shumë rëndësi sesa fitimi i luftës”.
Gjithsesi, unë mendoj se fitimi i kësaj lufte ka ende shumë rëndësi. Më pas, mbetet të kuptohet se sa nga burimet për të cilat po flasim janë realisht të shfrytëzueshme. Por nëse do të jenë reale dhe investimet do të vinin nga perëndimi, do të ishte një pikë kthese për mirë.
“Corriere della Sera”