Radar
DeepSeek, aplikacioni kinez i inteligjencës artificiale që po trondit gjigantët amerikanë të teknologjisë
Një model i inteligjencës artificiale (AI) i prodhuar në Kinë i quajtur DeepSeek ka arritur në krye të shkarkimeve në Apple Store, duke mahnitur investitorët dhe duke fundosur aksiones e disa gjigantëve të teknologjisë.
Ai u prezantua më 20 janar, duke lënë mbresa te ustallarët e AI para se të merrte vëmendjen e të gjithë industrisë së teknologjisë dhe botës.
Presidenti i SHBA-së Trump tha se ishte një “thirrje zgjimi” për kompanitë amerikane të cilat duhet të përqendrohen “për të garuar e fituar”.
Ajo që e bën DeepSeek kaq të veçantë është pretendimi i kompanisë se është ndërtuar me një fraksion të vogël të kostos që kaanë modelet që udhëheqin industrinë si OpenAI – sepse përdor më pak çipa të avancuar.
Kjo mundësi bëri që gjiganti i prodhimit të çipave Nvidia të humbasë pothuajse 600 miliardë dollarë të vlerës së tij të tregut të hënën – humbja më e madhe njëditore në historinë e SHBA-së.
DeepSeek gjithashtu ngre pyetje në lidhje me përpjekjet e Uashingtonit për të frenuar shtytjen e Pekinit për epërsi teknologjike – me një nga kufizimet kryesore që ka qenë ndalimi i eksportit të çipave të avancuar në Kinë.
Megjithatë, Pekini ka reaguar menjëherë, me presidentin Xi Jinping që e ka shpallur AI prioritet kryesor. Dhe ndërmarrjet fillestare si DeepSeek janë thelbësore teksa Kina përqendrohet nga prodhimi tradicional – rroba dhe mobilje te teknologjia e avancuar – çipat, automjetet elektrike dhe AI.
Çfarë dihet për DeepSeek?
Në mënyrën më të thjeshtë, DeepSeek është një chatbot me AI, si ChatGPT. Ky është aplikacioni falas që shkarkohet në dyqanin e aplikacioneve të Apple e Playstore, ku DeepSeek thotë se është krijuar “për t’iu përgjigjur pyetjeve tuaja dhe për të përmirësuar jetën tuaj në mënyrë efikase”.
Por modeli i AI që e fuqizon atë – i quajtur R1 – ka rreth 670 miliardë parametra, duke e bërë atë modelin më të madh të gjuhës me burim të hapur deri më tani, sipas Anil Ananthasëamy, autori i “Ëhy Machines Learn: The Elegant Math Behind Modern”.
Thuhet se është po aq i fuqishëm sa modeli O1 i OpenAI – i cili fuqizon ChatGPT – në matematikë, kodim dhe arsyetim.
Ashtu si shumë modele të tjera kineze të AI – Baidu’s Ernie apo Doubao nga ByteDance – DeepSeek është stërvitur për t’iu shmangur pyetjeve të ndjeshme politikisht.
Kur BBC pyeti aplikacionin se çfarë ndodhi në Sheshin Tiananmen më 4 qershor 1989, DeepSeek nuk dha asnjë hollësi në lidhje me masakrën, një temë tabu në Kinë.
Ai u përgjigj: “Më vjen keq, nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Unë jam një asistent i AI i krijuar për të ofruar përgjigje të dobishme dhe të padëmshme.”
Censura e qeverisë kineze mendohej të ishte një sfidë e madhe për zhvillimin e AI. Por DeepSeek duket se është stërvitur për një model me burim të hapur, i cili i mundëson atij të kryejë detyra të ndërlikuara, duke mbajtur gjithashtu informacione të caktuara.
Dhe ndërtuesit e tij thonë se kanë qenë në gjendje ta bëjnë këtë me çmim të ulët – studiuesit që qëndrojnë pas tij pretendojnë se ndërtimi i tij kushtoi 6 milionë dollarë, një buxhet i vogël në krahasim me miliardat e shpenzuara nga firmat e AI në SHBA.
Se si saktësisht e bënë këtë është ende e paqartë. Themeluesi i DeepSeek thuhet se ka ndërtuar një dyqan të çipave Nvidia A100, të cilët janë ndaluar të eksportohen në Kinë që nga shtatori 2022.
Ekspertët besojnë se ky koleksion – të cilin disa vlerësime e vlerësojnë në 50,000 – e lejoi atë në ndërtimin e një modeli kaq të fuqishëm të inteligjencës artificiale, duke i bashkuar këto çipa me ato më të lira dhe më pak të sofistikuara.
Kush qëndron pas DeepSeek?
DeepSeek u themelua në dhjetor 2023 nga Liang Wenfeng dhe lëshoi modelin e tij të parë të gjuhës së AI vitin e ardhshëm.
Nuk dihet shumë për Liang, i cili u diplomua në Universitetin Zhejiang me diploma në inxhinierinë e informacionit elektronik dhe shkenca kompjuterike. Por ai tani e gjen veten në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.
Ai u pa së fundmi në një takim të organizuar nga kryeministri i Kinës Li Qiang, duke pasqyruar rëndësinë në rritje të DeepSeek në industrinë e AI.
Ndryshe nga shumë sipërmarrës amerikanë të inteligjencës artificiale që janë nga Silicon Valley, Liang gjithashtu ka një përvojë në financa.
Ai është shef i një fondi të quajtur High-Flyer, i cili përdor inteligjencën artificiale për të analizuar të dhënat financiare për të marrë vendime për investime – atë që quhet tregtimi sasior. Në vitin 2019 High-Flyer u bë fondi i parë mbrojtës sasior në Kinë që grumbulloi mbi 100 miliardë juanë (13 milionë dollarë).
Në një fjalim që mbajti atë vit, Liang tha: “Nëse SHBA mund të zhvillojë sektorin e saj sasior tregtar, pse jo edhe Kina?”
Në një intervistë të rrallë vitin e kaluar, ai tha se sektori i AI i Kinës “nuk mund të mbetet pas në garë përgjithmonë”.
Ai vijoi: “Shpesh, ne themi se ka një hendek një ose dy vjet midis AI-së kineze dhe amerikane, por hendeku i vërtetë është midis origjinalitetit dhe imitimit. Nëse kjo nuk ndryshon, Kina do jetë gjithmonë në vendin e dytë.”
I pyetur se pse modeli i DeepSeek befasoi kaq shumë njerëz në Silicon Valley, ai tha: “Befasia e tyre buron nga shikimi i një kompanie kineze që i bashkohet lojës së tyre si një novatore, jo thjesht si ndjekëse – gjë me të cilën janë mësuar shumica e firmave kineze.”
Si goditen kompanitë amerikane?
Arritjet e DeepSeek zvogëlojnë besimin se buxhetet më të mëdha dhe çipat e nivelit të lartë janë mënyrat e vetme për të avancuar AI, një perspektivë që ka krijuar pasiguri për të ardhmen e çipave me performancë të lartë.
“DeepSeek ka vërtetuar se modelet e fundit të AI mund të zhvillohen me burime të kufizuara llogaritëse,” thotë Ëei Sun, analist kryesor i AI në Counterpoint Research.
“Në të kundërt, OpenAI, i vlerësuar në 157 miliardë dollarë, përballet tashmë me shqyrtimin e aftësisë së tij për të mbajtur një avantazh mbizotërues në inovacion ose për të justifikuar vlerësimin dhe shpenzimet e tij masive pa sjellë ende përfitime të rëndësishme financiare.”
Kostot e mundshme më të ulëta të kompanisë tronditën tregjet financiare më 27 janar, duke bërë që NASDAQ të bjerë më shumë se 3% në një shitje të gjerë që përfshinte prodhuesit e çipave dhe qendrat e të dhënave në të gjithë botën.
Nvidia duket se është goditur më së shumti pasi çmimi i aksioneve të saj ra me 17% gjatë ditës.
Prodhuesi i çipave kishte qenë kompania më e vlefshme në botë, kur matej me kapitalizimin e tregut, por ra në vendin e tretë pas Apple dhe Microsoft të hënën, kur vlera e saj e tregut u tkurr në 2.9 trilionë dollarë nga 3.5 trilion dollarë, raportoi Forbes.
Si po reagon Kina?
Rritja e DeepSeek është një nxitje e madhe për qeverinë kineze, e cila ka kërkuar të ndërtojë teknologji të pavarur nga Perëndimi.
Ndërsa Partia Komuniste ende nuk ka komentuar, media shtetërore kineze ishte e etur të vinte në dukje se gjigantët e Silicon Valley dhe Wall Street “kishin mbetur pa gjumë ” lidhur me DeepSeek, i cili po “përmbyste” tregun e aksioneve në SHBA.
“Në Kinë, përparimet e DeepSeek po festohen si një testament i zotësisë teknologjike në rritje dhe vetëbesimit të vendit,” thotë Marina Zhang, një profesoreshë e asociuar në Universitetin e Teknologjisë në Sydney.
“Suksesi i kompanisë shihet si një vërtetim i Innovation 2.0 të Kinës, një epokë e re e udhëheqjes teknologjike të rritur nga një brez i ri sipërmarrësish.”
Por ajo gjithashtu paralajmëroi se kjo ndjenjë mund të çojë gjithashtu në “izolacionizëm teknologjik”.