Kioske
“Lëvizja vetëm” dhe “Shqipëria s’bëhet”
Mendoj se sa më i madh të ishte numri i pjesëmarrësve në protestë, aq më i fortë do të ishte dhe presioni mbi institucionet publike. Sa më shumë zëra të flisnin aty, aq më shumë do të zgjaste protesta.
Ola Xama
Foto ilustruese
Mendoj se përplasja që ndodhi në protestën e organizuar për të zbardhur të vërtetën e ngjarjes së oficerit të policisë Azbi Spahiu, nxorri dhe njëherë hipokrizinë e klasës politike shqiptare. Kësaj radhe të partive të reja, të cilat premtojnë se sjellin një alternativë shprese dhe dallojnnë veten nga forca politike që na qeveris apo ajo që na ka qeverisur.
Në të gjithë këtë ngjarje u kuptua se synimi i vetëm për të gjithë ata që thirrën protestë, si për “Lëvizjen Bashkë” dhe për forcën “Shqipëria Bëhet” ishte protagonizmi dhe jo kërkesa e llogaridhënies për institucionet publike. Kur një forcë thërret një protestë, merr lejen për të dhe fton të gjithë pa përjashtim (madje pritej të bashkoheshin dhe demokratët), nuk ka si qëllim kontrollin e saj apo të atyre që flasin, por kauzën. Dhe kauza në këtë rast ishte që institucionet të tregonin, hetonin dhe konstatonin nëse ngjarja me arrestimin e djalit të një prej biznesmenëve më të mëdhenj në Shqipëri Samir Mane, çoi për shkak të presionit një punonjës publik drejt vetëvrasjes?
Mendoj se sa më i madh të ishte numri i pjesëmarrësve në protestë, aq më i fortë do të ishte dhe presioni mbi institucionet publike. Sa më shumë zëra të flisnin aty, aq më shumë do të zgjaste protesta. Sa më shumë diversitet të kishte nga ngjyrimet politike, aq më shumë do të fitonte qëllimi i saj. Madje për mua do të ishte mirë që të kishte dhe socialistë, njerëz të pakënaur me modelin e kapjes së shtetit dhe standardin e dyfishtë që përdor policia e prokuroria me njerzit e pushtetshëm.
Thirrja për ndërhyrjen e policisë për t’i hequr fjalën kryetarit të një force politike (Adriatik Llapaj) se nuk kishte regjistruar emrin e respektuar radhën, apo insistimi me arrogancë i tij se nëse nuk flas unë ‘le të digjet bota’, tregon qartë se interesi i të dyja partive nuk është instalimi i standardeve të mirëqeverisjes, por kush fiton më shumë pikë politike se po vijnë zgjedhjet. Kjo mund të duket një e drejtë legjitime e çdo force politike, nëse nuk e vemë në kontekstin se si kanë rrjedhur ngjarjet.
Pasi dëgjuan për protestën, familjarët e policit kërkuan me lutje që çështja të mbetet private pasi vihet në rrezik shëndeti i tij. Ndaj protesta pas kësaj kërkese do të legjitimohej vetëm nëse kauza dhe qëllimi i saj do të ishin më të mëdha se një individ, dhe do të synonin që të vinin përpara kërkesës së llogarisë institucionet në mënyrë që ngjarje të tilla të mos përsëriten. Por të rrezikosh shëndetin e një polici që të zihesh se kush merr më shumë vota, nuk të bën asnjë dallim nga ata që ne dyshojmë se shtynë Azbi Spahiun drejt vetëvrasjes.
Çfarë kemi dëgjuar deri më sot nga këto parti është morali i lartë që ofrojnë se do të sjellin në skenën politike dhe të qeverisjes. Por mjafton të shohësh si përplasen, si akuzojnë pa asnjë letër e provë njëri-tjetrin, si përdorin ‘mish për top’ njerzit dhe groposin kauzat, dhe kupton se nuk kanë asnjë ndryshim nga ata që na udhëheqin sot. Nuk dallojnë fare nga mediat e kapura, nga biznesmenët oligarkë e politikanët e korruptuar që shkelin çdo parim për para e pushtet. Dhe këta njësoj, sot për pushtet e protagonizëm, nesër mbase për para.