Radar
“Nuk më ftojnë në emisione”, Beti Njuma i përgjigjet Adriatik Lapajt
Gazetarja dhe moderatorja Beti Njuma ka reaguar publikisht ndaj deklaratave të aktivistit Adriatik Lapaj, i cili pretendon se nuk ftohet në emisione televizive.
Përmes një postimi, Njuma ka bërë të ditur se javën e kaluar, pas leximit të një statusi të Lapajt në rrjetet sociale, e kontaktoi personalisht dhe e ftoi në emisionin e saj, duke i garantuar një studio të hapur për mendimet e tij.
Lapaj fillimisht pranoi ftesën dhe e konfirmoi edhe në mëngjesin e ditës së emisionit. Sipas gazetares, ai do të ishte pjesë e një paneli me Dash Sheshin, Agron Shehajn dhe Isa Myzyrajn.
Por, pak orë para nisjes së emisionit, Lapaj ka telefonuar për të njoftuar se nuk do të merrte pjesë, duke argumentuar se nuk dëshironte të përfshihej në sulme “poshtë brezit.”
“Unë nuk e di nga kush ka frikë Lapaj dhe as guxoj të besoj se ndihet i kërcënuar nga dy prej deputetëve më të civilizuar të Kuvendit. Por t’i shmangesh debateve televizive me justifikime të tilla është e pakuptueshme,” shkuan Njuma duke ironizuar situatën.
Postimi i plotë:
Adriatik Lapaj ka disa javë që ankohet se nuk e marrin televizionet në studio. E mora ne telefon javën e kaluar, me të lexuar statusin në rrjetet sociale dhe i thashë, siç u kam thënë të gjithë përfaqësuesve të grupimeve të reja, se tek mua e ka studion gjithmonë të hapur. Dhe e ftova në emision për sonte.
Pasi pranoi, pasi ma konfirmoi edhe sot në mëngjes, në një panel me Dash Sheshin, Agron Shehajn dhe kolegun e Ora News Isa Myzyraj, Adriatiku më mori në telefon dhe më tha nuk vij se me sulmojnë poshtë brezit.
Unë nuk e di nga kush ka frikë Lapaj dhe as guxoj të besoj se ndihet i kërcënuar nga dy prej deputeteve më të civilizuar të Kuvendit, por t’i shmangesh debateve televizive me këtë argument më duket burracakëri.
Është e pandershme, një viktimizim i panevojshëm dhe që nuk ndihmon në ngritjen e një imazhi të besueshëm, ndryshe nga ai i politikës së vjetër kundër së cilës Lapaj flet nga mëngjesi në mbrëmje.