Kryesore
Kërkohet që aksidenti me pasojë vdekjen të sanksionohet si vrasje rrugore. Por a janë rrugët e Shqipërisë me standarde sigurie?
Një aksident me pasojë vdekjen e një polici dje në Kamëz, ka përforcuar zërat për ndryshimin e sanksioneve penale. Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri doli sot me vrap për t’i rënë shkurt muhabetit:
“Unë mendoj që në këtë mënyrë e të bërit drejtësi nuk duhet të ecim përpara sepse nga këta 800 të dehur që i kanë dhënë makinës në rrugët e Shqipërisë, ata që kanë bërë qoftë edhe një ditë të vetme burg janë shumë pak, për të mos thënë fare. E unë këtë e shoh një krizë të thellë që cënon në themel mundësinë e qytetarëve dhe mbi të gjitha të punonjësve të policisë të kenë besim, se drejtësia në ketë vend bëhet. Ndaj unë do të propozoj një amendament të kodit penal në mënyrë që të gjithë ata që bëjnë një aksident rrugor me pasojë në shëndetin dhe jetën e qytetarëve të mos shkojnë para gjykatës me aksident me pasoja vdekjen ose aksident me pasoja plagosje por të shkojnë për vrasje rrugore, plagosje rrugore”, tha ai pas homazheve për policin Ervin Haxhiaj që mbeti viktimë e aksidentit.
Që rripi ndaj atyre që ecin rrugëve në shkelje të të gjitha rregullave dhe rrezikojnë jetën e qytetarëve do shtrënguar, kjo s’ka asnjë dyshim. Por ky është proces që nis në mënyrë të shkallëzuar dhe nuk mundet të mblidhet me një sanksion ekstrem që e çon aksidentin me pasojë vdekje në vrasje rrugore. Para dy vitesh u ashpërsua legjislacioni për drejtimin e automjetit në gjendje të dehur apo nën efektin e alkoolit. U shtua edhe kontrolli. Shohim që nuk paska patur efekt kjo masë, çka bën të dyshohet se policia rrugore nuk e bën edhe aq mirë punën e vet.
Por ky është njëri aspekt. Aspekti tjetër është se klasifikimi i aksidenteve me pasojë vdekjen apo plagosjen në vrasje rrugore, do të kërkonte që shteti, qeveria apo kushdo ent tokësor apo jotokësor që do të marrë në administrim rrugët e Shqipërisë, të garantojë se ato janë me standarde sigurie rrugore. Dhe ta garantojë këtë me dokumentacion jo si në rastin e ligjit të importit të mbetjeve, ku si garanci ka mbetur vetëm fjala e Kryeministrit. Përndryshe do të shohim viktimat e radhës që mbeten burgjeve për vrasje për aksidente që ndodhin në rrugë apo gjoja autostrada ku nuk ka standarde sigurie, ku shihen njerëz që kalojnë mespërmes se mungojnë mbikalimet, apo edhe kafshë pse mungojnë kufizueset.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu