Sport
Jeta luksoze e Jose Mourinho në Turqi: jeton në hotel me kosto një mijë euro në ditë
José Mourinho ka vendosur të pranojë aventurën te Fenerbahçe, duke hyrë në një kampionat të ri që i ofron një sfidë tërheqëse: të fitojë titullin për herë të parë pas më shumë se 10 vitesh dhe të thyejë dominimin e Galatasaray-t në Turqi. Motivet që zgjojnë natyrën e tij, gjithmonë në kërkim të situatave të ndërlikuara për t’i zgjidhur. Për më tepër, paga prej më shumë se 10 milionë eurosh në sezon ka qenë nxitja përfundimtare për ta bërë atë pjesë të Super Lig-ës, ku “Special One” po jeton si një yll i vërtetë.
Klubi turk e priti me të gjitha nderimet dhe tifozët u çmendën kur ai mbërriti, të bindur se me Mourinhon në stolin e ekipit do të ishte më e lehtë të shkruanin historinë. Dhe natyrisht, edhe klubi e trajton me shumë kujdes, duke njohur vlerën dhe përvojën e tij të pafundme të fituar me sukseset në gjithë Europën. Fenerbahçe i ka vënë në dispozicion apartamentin më të mirë në Stamboll, por portugezi ka preferuar të jetojë në hotel, siç kishte bërë edhe gjatë eksperiencës së tij në Manchester.
Sa shpenzon Mourinho për të jetuar në Stamboll
Sigurisht, zgjedhja e Mourinhos për akomodimin nuk është rastësore. Në prag të ndeshjes së Europa League kundër Manchester United-it, një takim magjepsës me ekipin e fundit me të cilin ai fitoi pikërisht këtë kupë, “Daily Mail” hyri në suiten ku qëndron trajneri dhe provoi të përshkruante jetën e tij në Turqi. Natyrisht, atje gjithçka është krejt ndryshe nga Roma, Londra ose Madridi, por Mourinho po jeton në luks të vërtetë.
Ai ka zgjedhur të qëndrojë në Four Seasons Hotel pranë brigjeve të Bosforit, një hotel ekskluziv me 5 yje, madhështor. Është një pallat i rindërtuar i shekullit të XIX-të, i vendosur në anën europiane të Stambollit, me një pamje të mrekullueshme të Bosforit. Një dhomë e zakonshme atje kushton mbi 1000 euro në ditë, një shumë e vogël për trajnerin që ka një pagë të jashtëzakonshme. Ai ka preferuar të qëndrojë në hotel, nga i cili del rrallë përveç rasteve të punës.
Preferenca e gatimit…
Personeli bën shaka me gazetarët, duke treguar se për darkë porosit pothuajse gjithmonë të njëjtën gjë: supë pule, ndjekur nga një picë margherita, akullore dhe ujë me gaz. Herë pas here del për një shëtitje të shkurtër, zakonisht për të vizituar restorantin e tij të preferuar të kebabit, ku ha i vetëm. Mourinho mbërriti në Stamboll në qershor, përpara fillimit të sezonit, dhe që atëherë ka qëndruar gjithmonë në hotel: rreth 150 ditë, gjatë të cilave vetëm për akomodimin ka shpenzuar një shumë marramendëse prej 150 mijë euro. Vetëm “xheparakë” për të, që ka një nga pagat më të larta në Europë.