Radar
Motra e Egli Progës: Ia kam borxh vëllait tim të sjell drejtësinë
Motra e Egli Progës bëri një deklaratë publike të fuqishme, mes turmës masive të mbledhur në homazhe në nder të kujtimit të të vëllait.
Duke premtuar të luftojë për drejtësi në emër të tij, në fjalën e saj, ajo theksoi vendosmërinë për të mbrojtur kujtimin e vëllait të saj dhe për të siguruar që kriminelët që i morën jetën të përballen me drejtësinë.
“Që nga dita kur Egli mbeti këtu i pajetë pasi jetën ia morën barbarët e këtij qyteti, unë do të jem mbrojtësja e tij. Do e mbroj pas vdekjes sepse nuk isha këtu për ta mbrojtur për së gjalli. Mund të dukem si një e vogël dhe hallexheshë me të zeza, por ja kam borxh vëllait tim të sjell drejtësinë. Nuk dua të përfitoj kush nga vdekja e tim vëllai, nuk dua të politizohet vdekja e tij, por do pranoj ndihmën për vendosjen e drejtësisë. Kriminelët që i kanë mbyllur jetën vëllait tim do shkojnë në burg pa përjashtim. Si ata plehra që e dhunuan dhe ata që u përpoqën ta mbyllin këtë vrasje makabre me heshtje apo me letra.
Kam vetëm një kërkesë për ata që më dëgjojnë sot, për pogradecarët, flisni, mos kini frikë, tregoni të vërtetat tuaja për banditët që morën jëtën e Eglit, dëshmoni, se ata mund të vrasin vëllezërit tuaj nëse shpëtojnë paq, tregoni kush i mbron, kush janë kriminelët pas tyre. Kërkoj nga sistemi i drejtësisë, avokat, prokuror, gjyqtarë, këtë herë nuk ka para, nuk ka miq, nuk ka ndërhyrje. Mos bëni gabimin ta godisni me shkelma dhe me grushta vëllain tim , sic bënë barbarët që do të përpiqen t’ju blejnë.
Kërkoj vetëm drejtësi, dhe asgje tjetër por, jo vetëm me fjalë, e kërkoj si vepër. Duke filluar që sot i bëj thirrje të gjithë avokatëve dhe juristëve të Shqipërise, të vijnë edhe të mbrojnë Eglin bashke me mua”, u shpreh motra e të ndjerit.