Temporal
Unë s’kam dalë për të lypur
Nga Xhensil Shkëmbi
Babë e bir, shitës të lajthive dhe dinjitetit!
Teksa ngjitja Qafë Plloçën, në anë të rrugës, duke rrezikuar të përplaseshin, babë e bir kishin nxjerrë qese me lajthi, si për t’i reklamuar me dy fytyra të skuqura nga dielli e temperaturat e larta.
Hap krahun, vjen me vrap djali i vogël, sikur po shkonte të ngrinte një trofe.
-Kemi lajthi të mira, të buta kemi dhe arra. Çfarë do?
-Lajthi dua. Sa kushtojne?
-1 mijë e 5 qind.
-Mirë, ma jep.
I jap një 2 mijë lekshe, duke tentuar të largohem, i fut marshin makinës.
-Jo jo, prit të të jap 5 qind lekëshin.
-S’ka gjë mo, mbaje për vete.
-Nuk pranoj lek pa shitur mall unë.
-Po pse kështu?
-Më ka mësuar babi që mos gënjej, që nuk kemi dalë për të lypur por të punojmë.
I ati nuk afrohej, por shihte me kërshëri nga larg.
I jap një 2 mijë lekshe tjetër, marr një tjetër qese dhe iki, edhe pse po më ndiqte për të më kthyer kusurin.
Çfarë bleva? Lajthi dhe dinjitet. Këtë shisnin babë e bir…