Temporal
Historia e padëgjuar e fotografit indian që fiksoi lindjen e Dubait modern
“Unë nuk jam i famshëm – aparati im është shumë i famshëm. Ky aparat.”
Ramesh Shukla nxjerr kamerën Rolleicord, dhuratë për ditëlindje nga babai i tij 70 vite më parë. Është i njëjti aparat fotografik me të cilin u largua nga India në vitin 1965; i njëjti që ka shkrepur foto të sheikëve dhe krerëve politikë; i njëjti që kapi formimin e një kombi.
Tashmë 85-vjeç, Shukla e ka rrëfyer dhe ritreguar aq shumë historinë e jetës së tij, saqë detajet është e vështirë të përcaktohen, të mitizuara në një sërë momentesh thelbësore që tregojnë përrallën e një aventurieri trim që lundron në kërkim të fatit dhe mundësive.
Siç tregon ai, fotografi i atëhershëm 26-vjeçar hipi në një anije nga Bombei (tani Mumbai), për në Shtetet e Bashkuara – tani Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), por në atë kohë, një koleksion i Sheikhdomeve të pavarura përgjatë bregun lindor të Gadishullit Arabik.
Ai mbërriti në portin në Sharjah me vetëm një dollar në xhep dhe disa rrota filmi, dhe u nis me një karrocë me gomar, më pas me një motoçikletë, në Dubai: asokohe jo metropoli vezullues që është sot, por një fshat peshkimi i mbuluar me pluhur, pa rrugë, i rrethuar nga hapësira të mëdha dhe të hapura të shkretëtirës.
“Në shtëpinë time nuk kishte ujë, rrymë. Ishte shumë e vështirë”, thotë Shukla. Kjo nuk e pengoi atë të dilte jashtë dhe të dokumentonte peshkatarët, zhytësit e perlave dhe kapitenët e anijeve që jetonin në vendbanimin e vogël bregdetar.
Por ndryshimi ishte në horizont. Shtetet megjithëse nuk ishin koloni, ishin pjesë e një “protektorati britanik” që së shpejti do përfundonte dhe nafta ishte zbuluar në Gjirin Arabik vetëm disa vjet më parë, me eksportet e para që filluan të krijonin pasuri për popullatën e vogël të Emirateve Arabe.
Dhe në atë kohë, në rajon kishte shumë pak njerëz me aftësitë, njohuritë teknike dhe pajisjet për të prodhuar cilësinë e fotografisë që kishte Shukla.
Goditja e tij e madhe erdhi kur ai mori pjesë në një garë me deve në Sharjah në vitin 1968. Sheikët nga emiratet e ndryshme ishin të pranishëm atë ditë dhe Shukla shkrepi një foto të grupit të ulur buzë pistës.
Midis tyre ishte Sheikh Zayed Bin Sultan Al Nahyan, emiri i ndjerë i Abu Dhabi, i cili shpesh përmendet si “babai themelues” i Emirateve të Bashkuara Arabe. Të nesërmen, ai u kthye në hipodrom dhe ia paraqiti fotografinë Sheikh Zayed-it, duke kërkuar bekimin e tij dhe kjo ndryshoi gjithçka.
“Kur e pa foton, Sheikh Zayed më thotë: “Ti je Fannan” (në arabisht do të thotë “artist”)”, thotë Shukla.
Kapja e çasteve historike
Pas garës së deveve, Shukla e gjeti veten të ftuar në ngjajre zyrtare si fotograf, duke u qasur në vende dhe njerëz që mund t’i kishte ëndërruar vetëm disa vite më parë.
Ai zhvilloi një miqësi me familjen mbretërore dhe Sheikh Rashid bin Saeed Al Maktoum, sundimtar i Dubait deri në vdekjen e tij në 1990, e nxiti atë të qëndronte në Emiratet Arabe – kështu që në vitin 1970, gruaja dhe djali i tij iu bashkuan në Dubai.
“Aty ku u rrita, kishim një dhomë që ishte dhoma jonë e ndenjes, kuzhina jonë dhe një dhomë e vogël,” shpjegon Neel Shukla, djali i Rameshit.
“Ne kishim “thalis”, për mënyrën indiane të të ngrënit të ushqimit – është një pjatë çeliku ku vendosim perimet e ndryshme. E njëjta përdorej për të ngrënë dhe për të zhvilluar filmin.
Neel kujton se burimet ishin të pakta – veçanërisht uji, i cili shpërndahej me gomerë nga puset në shkretëtirë. Uji i përdorur për të krijuar fotografi duhej të matej saktësisht dhe gruaja e Shuklës, Taru, luajti një rol jetësor në punën e burrit të saj: ndërsa ai po fotografonte ngjarje, ajo regjistroi shënime teknike që do ndikonin në zhvillimin e fotografive më vonë, si p.sh. ndriçimi, ekspozimi dhe shpejtësia e diafragmës.
“Pa familjen time, gruan dhe djalin tim, nuk mund të bëja asgjë”, thotë Ramesh Shukla.
Më 2 dhjetor 1971, Shukla u thirr për t’u bashkuar me një moment me rëndësi të madhe historike për rajonin: nënshkrimin e marrëveshjes së bashkimit që pa gjashtë nga Emiratet – Abu Dhabi, Dubai, Sharjah, Umm Al-Qayëayn, Fujairah dhe Ajman – të bashkohen si Emiratet e Bashkuara Arabe. (Ras Al-Khaimah u bashkua si emirati i shtatë vetëm dy muaj më vonë.)
Fotografia e Shukla-s e Sheikh Zayed duke nënshkruar deklaratën e bashkimit njihet menjëherë për krerët e vendit – madje 50 vjet më vonë, falë përdorimit të saj në kartëmonedhën e re 50 dirhem, të shtypur në vitin 2021 për të festuar 50-vjetorin e kombit.
Një aparat fotografik me famë botërore
Shukla vazhdoi të dokumentojë Dubain dhe Emiratet gjatë viteve 1970, ’80 dhe ’90, megjithëse ai ka ende “qindra” filma të pazhvilluar nga kjo periudhë. Ai është ende duke i zhvilluar ato, duke nxjerrë pamje të papara të sheikëve në ekspozita çdo disa vjet.
Në një përpjekje për të vazhduar trashëgiminë e tij, Shukla – me ndihmën e djalit të tij, Neel – ka ngritur një laborator në dhomë të errët për t’i mësuar brezit të ardhshëm të fotografëve të Emiratisë aftësitë teknike të fotografisë analoge.
Kursi njëvjeçar “masterclass”, që do fillojë në shtator të këtij viti për 10 studentë, është falas përmes Dubai Culture, një organizatë qeveritare. Shukla shpreson se do t’u japë fotografëve të rinj një mundësi për të fituar aftësi që po humbasin që nga ardhja e fotografisë dixhitale.
“Ata do të diplomohen nën mentorimin e babait tim,” thotë Neel Shukla.
Gjatë viteve, fotografia e Shuklës është përmbledhur në libra dhe është ekspozuar në ekspozita si një dëshmi jetike e formimit të vendit. Ndërsa është emri i tij nëpër libra dhe postera, ai këmbëngul se ishte Rolleicord që e bëri të gjithë punën.
“I thashë babait tim: “Baba, një ditë unë do ta bëj këtë aparat fotografik me famë botërore”, thotë ai. “Kjo është ëndrra ime.”
Me miliona kopje të librave të tij të shpërndarë vetëm në vitet e fundit, është e sigurt të thuhet se ai e arriti atë.