Aktualitet
-Isha unë dhe e pashë, nuk ka drogë, ncuk
Tjetër gjë të shohësh sesi në Shqipëri vijnë avionë të vegjël për t’u ngarkuar me drogë dhe ndryshe ta shohësh realitetin me dylbitë e policisë shqiptare, e cila po shënon rekorde sa i përket përkushtimit për të mbrojtur politikisht ministrin apo qeverinë me komunikata shtypi. Policia e Shtetit ka raportuar sot se në terren nuk ka më asnjë parcelë të mbjellë me kanabis sativa. A mund të besohet kjo kur vetëm pak ditë më parë u zbulua aksidentalisht pista e avionëve Piper në Durrës apo kur 700 kg kanabis të nisura nga Vlora u kapën në Bari.
Megjithatë konkluzioni se Shqipëria është e pastër nga kanabisi u raportua pas një takimi të Haki Çakos me Oficerët Ndërlidhës Policorë të atashuar në vendin tonë dhe drejtuesit e misioneve që asistojnë Policinë e Shtetit.
Ja çfarë thuhet në njoftim : “Koordinatori i Policisë së Shtetit për misionin e fluturimeve bëri një prezantim të detajuar në lidhje me masat dhe zbatimin e misionit të fluturimeve për zbulimin e parcelave me cannabis me avion të posaçëm të Guardia di Finanza dhe Universitetit të dytë të Napolit. Prezantimi ishte gjithëpërfshirës duke dhënë fakte e rezultate të bashkëndara edhe me palën italiane të Guardia di Finanza dhe Universitetin e Dytë të Napolit prezent në takim. Edhe këtë vit janë arritur rezultate mbresëlënëse të shkatërrimit të sipërfaqes së identifikuar nga misioni italian i fluturimeve. Për t’u theksuar është fakti se në dy fluturimet e fundit të Guardia di Finanza nuk janë gjetur më parcela të mbjella me cannabis, duke dhënë një dëshmi të pakundërshtueshme në lidhje me ndërhyrjet e Policisë së Shtetit në terren”
Më tej njoftimi thotë se bashkëpunim i Policisë së Shtetit me Partnerët dhe Misionet që asistojnë dhe monitorojnë punën e Policisë së Shtetit ka qenë mjaft i suksesshëm. Mjafton të kujtojmë këtu rastin e Klement Balilit, ish-drejtorit të Transporteve të Sarandës, i akuzuar si një prej drejtuesve të një grupi ndërkombëtar të trafikut të drogës, të cilin policia nuk e arrestoi dot me argumentin se nuk erdhi në kohë urdhër arresti ndërkombëtar nga policitë partnere.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu