Kritike
Masakra televizive e intervistës së kryeministrit rrethuar me sallamra, pasta rroje, dyshekë dhe ilaç rrobash
Në 14 nëntor, në orën 21 të mbrëmjes, Kryeministri i Shqipërisë ishte ftuar në programin televiziv “Repolitix” përballë një paneli gazetarësh.
Për më shumë se një orë e gjysëm zoti Rama dha shpjegimet e tij për çështje me karakter politik dhe ekonomik që lidhen me Qeverine dhe Partinë Socialiste, të cilat i drejton prej më shumë se dhjetë vjetësh.
Moderatori i programit qe përpjekur t’i kushtonte rëndësi
përzgjedhjes së pyetjeve, paçka se hera-herës ato ishin të tilla që nuk kishin nevojë për përgjigje.
Nga ana tjetër, gazetarët e vendosur përballë z.Rama, u treguan seriozë dhe të përmbajtur ndaj përgjigjeve edhe atëherë kur ishin të pakënaqur prej tyre.
Rama, si një kafshë politike me eksperiencë të gjatë dhe elokuencë të rallë, u përpoq ta mbante bisedën në një kornizë serioze dhe si rrallëherë nuk e ngriti zërin për të kundërshtuar gazetarët. Përkundrazi, ishte i qetë, i matur dhe ironia e tij e zakonshme i lexohej rrallëherë në sy.
Me fjalë të tjera, ajo që binte më shumë në sy gjatë debatit televiziv, përveç pikësynimit të tij, ishte SERIOZITETI i temës, i tonit të zerit, i skenografisë, madje edhe i veshjes së personazheve që merrnin pjesë në program.
Në këto rrjeshta nuk kam ndërmend të komentoj apo të jap mendim lidhur me Programin e ofruar nga Report Televizion sepse atë e gjykojne vetë teleshikuesit.
Në këtë shkrim desha të jap opinionin tim, jo për Programin e Televizionit, por për Televizionin e Programit.
Makutëria për të tërhequr sa më shumë reklama që i sjellin fitime pronarit të televizionit, shpesh i bën ata qesharake.
Dhe sipas gjykimit tim, ky eshte një rast i tillë.
Dalja e Ramës, protogonistit të Qeverisë dhe Politikës shqiptare në cilindo ekran televiziv përbën event për televizionin dhe ngall interes te teleshikuesi. Për pasojë Bizneset e vëmendshme në të tilla raste VËRSULEN që të pronotojnë reklama dhe kjo është normale, ashtu sikurse është normale edhe DËSHIRA e pronarëve të televizioneve për të fituar sa më shumë para.
Pra deri ketu, çdo gjë shkon normalisht.
Por në rastin konkret, ashtu si edhe në ndonjëherë tjetër, marrëdhënia e Televizionin me REKLAMËN kthehet në ANORMALE.
Nuk ka qene, nuk është dhe nuk mund të jetë
QENDRIM PREOFESIONAL kur në ekran shfaqet vetëm një portret dhe njëherësh, në dy anet e tij dalin reklama, madje të shoqëruara edhe me tekst për biznese nga më të ndryshmet.
Një veprim i tille që në pamje të parë duket si i parëndësishëm është APROFESIONAL vetëm për faktin e thjeshtë se tërheq vëmendjen nga ajo çka është më thelbësore në ekran.
E thënë ndryshe, kur Kryeministri i vendit përpiqet t’u shpjegojë shqiptarëve se Reforma në drejtësi është jetike për ta dhe se Partia socialiste që është nismëtarja e saj është e gatshme të paguajë çdo ÇMIM për triumfin e saj, ngjitur me fytyrën e tij shfaqen ÇMIMET e kosit Erzeni që janë ulur ndjeshëm.
Gjithsesi edhe kjo nuk është fundi i botës.
Ama, kur pas pak sekondash Kryeministri i Shqipërisë flet për luftën në Ukrainë, strehimin e emigrantëve afrikanë si një gjest mirënjohjeje ndaj Italisë dhe papritur rrethohet nga të gjitha anet me sallam, pasta rroje, salcice, shapka, dysheke, ilaç rrobash……ti nuk e ndjek më tej Kryeministrin
Ti e ndjen vehten të Fyer.
Unë nuk besoj se Kryeministri Rama gjatë programit ka qenë në dijeni të MASAKRËS që i bënin REKLAMAT fjalëve të tij sepse jam i bindur që do të largohej nga emisioni.