Kryesore
Postier
AlbanianPost e Baton Haxhiut publikonte sot një dokument që e quan Draft Statuti i Plotë i Asocacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Së bashku me të një koment të disa ekspertëve të cilët Haxhiu, në stilin e vet megalloman i shpall si jurist që i kanë dhënë identitetin Republikës së Kosovës. Media në fjalë sugjeron se ky draft, në një pjesë të caktuar të tij konsideron propozimin e z. Rama, bërë në qershor të këtij viti, mirëpo në dokument nuk figuron asgjë e tillë. Në sqarimin e vet, drafti sqaron se ai rrjedh nga marrëveshjet e vitit 2013, 2015, mendimi i vitit 2015 i Gjykatës Kushtetuese dhe pritshmëritë e komunitetit perëndimor. Ky statut merr po ashtu në konsideratë propozimet e fondacioni “Friedrih Ebert” për disa seksione.
Edhe pse media në fjalë e trumbeton si gjetje kreative të qeverisë shqiptare, drafti në fjalë është një optimizim propozimesh dhe për një prej tyre z. Rama ka bërë vetëm postierin. Çdo gjë tjetër është propagandë pesë lekëshe e dikujt që kërkon rol aty ku nuk e ka, për një situatë e cila në të vërtetë erdhi këtu jo për pasurinë e propozimeve, por për konfrontimin mes palëve dhe qëndrimin e Prishtinës në pozicionin e vet. Jo më kot ky është një draft i ri, kreativ ndoshta, por jo për hir të ndonjë konkursi të jurisprudencës.