Temporal
Dyshimet që shoqërojnë ndalimin e gazetarit Artan Hoxha
Nga Mero Baze
Ka disa pikëpyetje në shoqërimin e gazetarit Artan Hoxha dhe sekuestrimin e mjeteve të punës së tij, që hedhin dyshime mbi përdorimin politik të Prokurorisë dhe dështimin e menduar të një hetimi.
Për aq sa kolegu ynë Artan Hoxha ka thënë publikisht, ai është pyetur në Prokurori për ato që ka folur gjatë ditës në televizonin ku ai punon, “News 24”, dhe ato që po thoshte në emisionin “Opinion”. Është e vërtetë që Hoxha shpesh u referohet publikisht burimeve të tij për ngjarje shumë të forta, por kjo nuk është çështje e Prokurorisë, por çështje e besueshmërisë që ai transmeton në publik. Nëse publiku e beson deklaratën e tij, mbështetur në burime anonime, ose jo, është çështje e profilit të gazetarit.
Nëse ai është pyetur për gjëra që ka thënë gjatë ditës, nuk ka pse merrej direkt nga studioja e TV Klanit për të bërë show, pasi kishte kohë dhe mund të pyetej të nesërmen.
Por, me sa duket, Prokuroria më shumë se sa e nxitur nga ato që ka thënë Hoxha, duket se është nxitur nga deklarata e PD dhe qëndrimi i saj paralel me veprimin e Prokurorisë, e cila furnizoi shumë media me “burime të sigurta” se Artan Hoxhës i ka dërguar sms ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Pra, nxitja për ta ndaluar pa shkuar në shtëpi Artan Hoxhën, dhe për t’i sekuestruar mjetet e punës, nuk lidhet aq shumë me çfarë ka thënë kolegu jonë, por me shpresën se përmes tij, do të kishin një argument për të luftuar ministrin e Brendshëm.
Kjo është më e qartë ditën e sotme, kur gazetarit ende nuk i janë kthyer telefonat, dhe kur opinioni publik është bërë edhe më konfuz për atë se çfarë kërkon të shpëtojë Prokuroria nga hetimet, kur vet ajo ka mbushur gjithë shtypin se çfarë ka thënë piloti italian.
Pra, qartazi më shumë se sa një ndalim të gazetarit Artan Hoxha për shkak të detyrës, kemi një ndalim të tij spekulativ, për të siguruar fakte për luftën mes dy institucioneve, Prokurorisë dhe PD nga një anë, dhe ministrit të Brendshëm nga ana tjetër.
Artan Hoxha është në këtë rast viktimë e kësaj lufte të ftohtë mes tyre, dhe i vetmi problem real i tij, është se mos Prokuroria përdor informacionet që gjen në telefonin e tij, për ndonjë çështje private, duke e shantazhuar.
Por qartazi duket se Prokuroria ka shkuar tek Hoxha, jo për Hoxhën, por për të gjetur se kush i është rrëfyer atij, me shpresën që PD e kishte të sigurt “burimin”, që “spiuni” ishte Saimir Tahiri.
Ky është një zhvillim i shëmtuar, dhe një keqpërdorim politik i të drejtës së Prokurorisë për të ndërhyrë në verifikimin e burimeve të informacionit që dalin në shtyp, jo se shqetësohet për to, por se i duhet për luftë politike. Ky është një keqpërdorim i frikshëm politik i Prokurorisë nga një parti politike, që tashmë i bashkon zemërimi me reformën në drejtësi dhe atë që nuk shmangën dot.
Prokuroria nuk e ka herën e parë që thërret gazetarë për të mësuar për burimet e informacionit. Për hir të së vërtetës, e ka detyrë të saj ta bëjë.
Mua vet më ka thirrur një herë katër orë për të mësuar ku e kishim gjetur një dosje që kishim botuar për Fatos Nanon. Bile më 21 Janar, na kërkuan të dëshmojmë dhe para një Komisioni parlamentar që kishin formuar “për hetimin e puçit”, si Erdogani. Por për fatin tonë të keq, ju kthye mendja nga frika në fund Berishës, se do kishim pak humor me të dhe familjen e tij. Dhjetra raste të tjera sekuestrojnë materiale të transmetuara dhe i përdorin për prova. Kjo është detyra e tyre dhe nuk duhet të bëjmë si histerikë kot.
Rasti konkret është me keq se sa ndërhyrje ndaj profesionit të një gazetari. Është keqpërdorim i një të drejte të Prokurorisë për të gjetur fakte ndaj atyre që ajo i quan rivalë të saj.
Artan Hoxha me siguri është zbavitur shumë në Prokurori duke injoruar pyetjet zhbiruese të tipit “ku hengre drekë sot” apo me “kë pive kafe”, por Prokuroria që ka lënë pa gjumë PD gjithë natën, duket se nuk ka qenë duke gjurmuar pilotin dhe bashkëpunëtorët e tij, por Saimir Tahirin. Shpresoj ta kapë nëse ka fakte për të, por të mos ecë me mendtë e PD, se ata nuk dinë ku ka kanë kokën këto ditë./TemA
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu