Kritike
Arlind Qori: Opozita ka marrë fund, Rama po të dojë mund të fitojë dhe zgjedhjet brenda PD-së
Kreu i “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori duke komentuar fitoren e Partisë Socialiste në Bashkinë Kukës thotë se me këtë rezultat, Rama po të dojë fiton zgjedhjet brenda Partisë Demokratike.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Qori shkruan se fitorja e PS-së në Kukës sidomos pas skandalit Gjici tregon se opozita e vjetër është e pafuqishme të ngjallë shpresë.
“Fitorja e thellë e PS në Kukës, sidomos pas skandalit Gjici, tregon se opozita e vjetër është tejet e pafuqishme për të ngritur krye dhe ngjallur shpresë. Mes drejtuesve të copave të PD po krijohet bindja disfatiste se, po të dojë, Edi Rama u fiton edhe zgjedhjet brenda partisë. Ndërkaq korrupsioni i qeverisë thellohet dita-ditës.
Vendi dhe koha po thërrasin për një opozitë të re, serioze, parimore dhe me potencial. Të tillë që bazohet në shtyllat e demokracisë, zhvillimit të qëndrueshëm, shtetit social dhe luftës kundër oligarkisë. Që kjo të ndodhë, nevojitet që çdo qytetar i ndershëm të reflektojë thellë dhe të pyesë veten se çfarë mund të bëjë për ta nxjerrë veten dhe vendin nga pusi ku po e zhyt batërdia qeveritare.
Ndaj ftoj çdo qytetar që prej vitesh refuzon zgjedhjen e të keqes më të vogël, por edhe çdo socialist e demokrat që i ka ardhur në majë të hundës keqqeverisja, poshtërimi e gënjeshtra, që të bëhen pjesë e Lëvizjes BASHKË. Një hap i vogël sot është një impuls i fortë për të na zgjuar nga letargjia dhe pesimizmi politik”, shkruan Qori.