Lidhu me ne

Kryesore

Një vajzë si… Fjona

Entela Resuli-Gazetadita

Një vajzë si… Fjona

Fjona Parllaku është maturante e ekselencës. Ka fituar në të dhjeta degët ku ka aplikuar për të vazhduar studimet e larta. Është e qetë dhe e qartë në fjalët që nxjerr nga goja. Në shumë momente nuk e beson që po flet me një 18-vjeçare. Dijen e konsideron si një nga gjërat më të rëndësishme në jetë, ndaj edhe i është përkushtuar gjithë këto vite. Ka marr pjesë në olimpiada e konkurse të ndryshme ku gjithmonë ka dalë ose me medalje ose me certifikatë.

Është vajza e një inxhinieri dhe e një pedagogeje gjuhësie. Prindërit kanë shërbyer si motivim në rrugën drejt dijes. “U jam më tepër se mirënjohëse prindërve të mi që kanë qenë një model perfekt për t’u ndjekur dhe që më kanë qëndruar pranë gjatë hapave më të rëndësishëm të formimit tim intelektual”-tregon Fjona duke parë gjithë krenari babanë që ndodhet pranë saj.

18-vjeçarja Parllaku, pa diskutim që është krenaria e prindërve. Ditën e djeshme së bashku me shumë maturantë të tjerë ajo u takua me kryeministrin Rama. Pas këtij takimi, ne folëm me kandidaten për studente, duke sjellë më poshtë një bisedë me Fjonën, vajzën që do e donin të gjithë.

-Fjona, sapo ke përfunduar gjimnazin… si kanë qenë për ty këto vite?

Tre vitet e gjimnazit kanë qenë mjaft dinamike. Krahas përgatitjes sistematike për lëndët mësimore, kam qenë e angazhuar edhe me kurse të gjuhëve të huaja, konkurse si edhe olimpiada kombëtare e ndërkombëtare, të cilave më është dashur t’u kushtoj kohë të barabartë me orët mësimore, në mos edhe më shumë, për të arritur rezultate kaq të larta. Përkushtimi dhe përqendrimi ka qenë maksimal, sidomos në vitin e fundit, në mënyrë që mbyllja e këtyre studimeve të kurorëzohej edhe me realizmin e dëshirave e synimeve të mia.

-E ndjen tani që… je rritur, je bërë një zonjushë?

Është e vërtetë që disa çaste të veçanta në jetën tonë na bëjnë të bindemi plotësisht që po pësojmë ndryshime, sidomos në personalitet. Përgjegjësia e zgjedhjes si fillim, e më pas aftësia për t`u përballur edhe me sfida nga më të ndryshmet si dhe detyrime të tjera të moshës janë detajet që më bëjnë të ndihem më e rritur e më e pjekur e të kem gjykim më të matur.

-Ke qenë gjithmonë një nxënëse shumë e mirë?

Për fat të mirë, jam përpjekur gjithnjë të jem një nxënëse shumë e mirë, por sot e kuptoj që çelësi kryesor i suksesit, për këdo, është pikërisht vullneti dhe të qenit sistematik. Jam ndërgjegjësuar për këtë që në moshë të vogël dhe më është kthyer në bindje me kalimin e viteve, duke parë se puna e vazhdueshme më ka ndihmuar të arrij thuajse çdo qëllim që i kam vënë vetes. Që kur kam qenë e vogël kam patur dëshirë për të qenë një hap përpara programeve mësimore, sidomos në lëndën e matematikës. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse, me kalimin e kohës u bëra edhe pjesëmarrëse e olimpiadave në lëndë të ndryshme si matematikë, fizikë etj.fjona

-Ke një lëndë të preferuar?

Lënda ime e preferuar ka qenë e vijon të mbetet matematika. Mund të lexoj për kënaqësi libra të zhanreve të ndryshme, në shqip apo në anglisht, por, kur punoj me matematikë, është diçka krejt tjetër, nuk më mërzitet asnjëherë, përkundrazi, ndonjëherë do të doja që çdo lëndë të ishte matematikë.

-Një gjë të tillë e ke të trashëguar nga familja. Sa kanë ndikuar ata në motivimin tënd dhe në dëshirën për ta dashur shkollën?

Në të vërtetë u jam më tepër se mirënjohëse prindërve të mi që kanë qenë një model perfekt për t’u ndjekur dhe që më kanë qëndruar pranë gjatë hapave më të rëndësishëm të formimit tim intelektual. Përkrahja e tyre ka qenë e pandërprerë edhe gjatë këtyre viteve, duke përbërë një tjetër faktor të rëndësishëm për mbarëvajtjen në shkollë dhe arritjen e rezultateve të mia. Kam një marrëdhënie shumë të veçantë me motrën time më të vogël, edhe ajo po aq e mirë, sistematike dhe e përkushtuar ndaj mësimeve, me të cilën shpesh ndaj mendimet si me veten time.

-Me çfarë merren prindërit e tu?

Unë jam vajza e një inxhinieri që, për të marrë edhe një profesion tjetër, gjeti vullnetin të bënte edhe një master në Menaxhim dhe të përfundonte studimet edhe për drejtësi dhe e një pedagogeje, me gradën “Doktor i shkencave” në gjuhësi, që, gjithashtu gjeti vullnetin të përfundojë studimet e larta edhe në fushën e drejtësisë, kjo edhe për arsye studimore dhe të përkthimit në fushën e së drejtës dhe vijon të punojë për vazhdimin e kualifikimit të mëtejshëm. Ata kanë shërbyer e vijojnë të shërbejnë si motivim për mua, pavarësisht faktit që urojnë dhe shpresojnë shumë që, në aspektin e ushtrimit të profesionit dhe të angazhimit me punë, kur të kem përfunduar studimet e larta, të mos kem fatin e tyre, që i kanë larguar pa asnjë të drejtë nga puna, për arsye politike, si në kohën e diktaturës.

-Si ka qenë fëmijëria jote? Çfarë kujton?

Së bashku me familjen kemi jetuar 4 vjet në Paris, falë një kontrate pune, me të cilën mami shkoi si Lektore e gjuhës shqipe në INALCO dhe, më kujtohet, kur isha në Parashkollore (Maternelle), mësuesja më donte shumë, unë punoja me shumë dëshirë në klasë, me gjithë vështirësitë e fillimit, për shkak të mosnjohjes së gjuhës, përpiqesha shumë që të isha njësoj me shokët e shoqet franceze. Kam patur një fëmijëri që, me siguri, gjithkush do ta ëndërronte. 4 vitet e mrekullueshme që kam jetuar në Paris, më kanë mundësuar njohjen, që në moshë shumë të vogël, me shumë fëmijë dhe mësuese nga e gjithë bota dhe të kulturave të ndryshme që kanë lënë gjurmë të paharrueshme në kujtesën time dhe duke bërë të mundur ngulitjen e edukatës së punës, si mjeti kryesor për të arritur atje ku dëshiron. Gjatë viteve të fëmijërisë, për fat të mirë nuk më ka munguar aspak prania e pjesëtarëve të familjes më të madhe, të gjithë të afërmve të mi, si nga ana e nënës, edhe e babait.

-Ke qenë vazhdimisht me dhjeta. Sa e rëndësishme ka qenë për ty nota?

Synimet e mia për të qenë sa më e suksesshme kanë qenë të qarta që në moshë të vogël. Gjithmonë jam përpjekur të mësoj shumë për të marrë maksimumin e pikëve në një provim apo të arrija një nga vendet e para në një konkurs. Në fakt, thuajse që të gjitha vitet e shkollimit në arsimin parauniversitar kanë qenë për mua sfida të vazhdueshme, sepse, që në klasën e pestë, kur kam qenë te shkolla “Dora d`Istria”, kam marrë pjesë në konkursin pranues të organizuar nga kolegji turk “Turgut Ozal” dhe kam fituar vendin e parë duke marrë një bursë studimi në masën 100 për qind për të vazhduar shkollën atje. Por çdo vit ka qenë një sfidë e vërtetë dhe një përpjekje e vazhdueshme e studim sistematik, sepse ajo bursë e fituar duhet të mbahej duke ruajtur rezultatet e larta, duke u angazhuar në të njëjtën kohë edhe në olimpiadat e organizuara jo vetëm nga shkolla, por edhe në rang kombëtar e më pas, edhe ndërkombëtar. Fatmirësisht të gjitha këto përpjekje janë shpërblyer në mënyrën më të mirë të mundshme me rezultatet e arritura.

-Gjeje kohë edhe për t’u argëtuar?

Unë kam qenë gjithmonë e mendimit që, në mënyrë që një punë të jetë sa më efektive, duhet të bëhet me dëshirë. Megjithëse mund të tingëllojë paksa e çuditshme që të ndenjurit mbi libra mund të bëhet me dëshirë, kjo gjë është mëse e arritshme, nëse studimi dhe argëtimi ndërthuren bukur, pa e tepruar me asnjërën. Libri, pa as më të voglin dyshim, për mua gjithmonë ka qenë i pari dhe ka zënë hapësirën kryesore, por kjo nuk do të thotë aspak që argëtimi ka munguar. Besoj se ia kam dalë t’i ndërthur të mësuarit me argëtimin deri në masën që ky i fundit të mos më bëhet pengesë në arritjen e objektivave të mi.

-Fjona, viti i fundit i gjimnazit ka qenë i mbushur me rregulla, njoftime për sa i përket formulës së aplikimit për në shkollën e lartë. Si ka qenë kjo periudhë?

Duhet ta pranoj se këtë vit kam patur mjaft paqartësi për mënyrën se si do të viheshin në zbatim rregullat e ndryshuara të sistemit arsimor, për shkak të ndryshimit të ligjit. Kjo ndoshta edhe për faktin se çdo vendim është marrë me vonesë dhe na është njoftuar në momentin e fundit, duke mos na lënë kohë të mjaftueshme për të shpjeguar e kuptuar të gjitha paqartësitë apo për t’u dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve tona. Dhe, për fat të keq, ky ka qenë edhe shkaku se pse shumica prej nesh kanë patur këtë ndjenjën e ankthit e të pasigurisë për atë çfarë do të ndodhte më vonë. Madje shpesh e kemi konsideruar veten si “matura eksperimentale”, duke ia thënë njëri-tjetrit, por, pa mundur të ndryshonim asgjë.

-Ku mendon se është gabuar në këtë formë të re të aplikimit për në shkollën e lartë?

Nuk do të doja të gjykoja apriori, pa fakte konkrete apo pa i parë nga afër llogaritjet e shokëve dhe shoqeve të mia që, për fat të keq, deri tani, nuk kanë arritur të fitojnë preferencën që do të dëshironin, por do të gënjeja, nëse do të thosha që nuk e vendos dot veten në vendin e tyre.Solidarizohem plotësisht me ta dhe bashkohem me shqetësimin e tyre, duke mbështetur sidomos argumentin që grup-lëndët e shpallura për një nga programet e studimit, siç është Drejtësia, nuk zhvilloheshin fare si lëndë në disa shkolla, si edhe jam plotësisht dakord me faktin, që kriteret e universiteteve për përzgjedhje na u bënë të ditura me shumë vonesë. Mendoj, siç e kam shprehur edhe herë tjetër, që, për të mirën e të gjithëve, do të duhej që kriteret të na ishin bërë të ditura që në vitin e parë të shkollës së mesme në mënyrë që, kur të ishim në vitin e tretë, para provimeve të maturës dhe para përzgjedhjes, të ishim qartësuar për mënyrën e llogaritjes dhe të zgjedhjes së preferencës, duke marrë parasysh sa të vështirë e ke në këtë moshë të zgjedhësh një drejtim që mund të jetë vendimtar për të ardhmen tënde. Stresi, tensioni dhe pasiguria që përjetojnë shumë prej tyre, edhe pse me rezultate të larta, vijnë nga vonesat dhe mosshpjegimi sa dhe si duhet i procedurave, sidomos formulave të pranimit në universitete. Përgjegjësia këtu nuk është aq e maturantëve sa e politikëbërësve dhe atyre që drejtojnë e menaxhojnë procesin. Admiroj reagimin e tyre dhe organizimin për të protestuar. Ata gjykojnë se u është bërë padrejtësi dhe, të protestosh është e drejtë legjitime, është dhuratë e lirisë. Uroj që mundi dhe djersa e tyre dhe e familjeve të tyre të shpërblehet, siç e meritojnë.

-Na trego pak për rrugën që ndoqe ti për aplikimin dhe në sa degë u shpalle fituese?

Pas marrjes së rezultateve të të gjitha provimeve të Maturës, kontrollova me kujdes të gjitha kriteret e universiteteve sipas fakulteteve për të cilat isha e interesuar. Në datën e përcaktuar në udhëzim për aplikimin online, u paraqita në shkollë, ku rendita të dhjeta preferencat e mia dhe aplikova. Duke qenë se rezultatet e Maturës Shtetërore dhe mesatarja e tre viteve të gjimnazit ishin shumë të mira, arrita të shpallem fituese në të dhjeta preferencat ku aplikova, duke u renditur madje në vendin e parë në pjesën më të madhe të tyre.

-Ndihesh ndryshe që ke fituar dhjetë degë? Je në dilemë tani se çfarë do të zgjedhësh?

Fakti që arrita të shpallem fituese në të gjitha preferencat më dha një kënaqësi të papërshkrueshme, por në të njëjtën kohë më bëri të ndiej një përgjegjësi të madhe për të bërë zgjedhjen e duhur. Kjo ndodh sepse preferencat që kam listuar janë disa prej më të kërkuarave që të ofrojnë mundësi të shumta për të ardhmen. Prandaj është shumë e vështirë të zgjedhësh vetëm njërën prej tyre.

-Ndien konkurrencë apo xhelozi nga bashkëmosharët e tu?

Konkurrenca është njëlloj forme presioni, sidomos kur kërkon të jesh mes më të mirëve, e për më tepër, të kërkosh të jesh më i miri, por në të njëjtën kohë edhe të motivon për të punuar fort, që ta realizosh këtë synim. Xhelozi, nuk e besoj, por ndoshta pak zili edhe mund të shihet, sidomos prej atyre që janë shumë afër pikës ku ti ke arritur, por nuk janë ata në vendin tënd.

-A je ti si të gjitha bashkëmoshataret e tua, d.m.th. çfarë mendon se ke ndryshe? Je ti një vajzë blloku, kalon kohë kafeneve?

Gjithsecili e zgjedh vetë mënyrën e organizimit të jetës së vet dhe kalimin e kohës së lirë, në varësi të interesave dhe qëllimeve që i vë vetes. Nuk më pëlqen dhe as kam të drejtë të gjykoj askënd për zgjedhjet e tij, as grupin e bashkëmoshatarëve të cilëve ju i referoheni. Pjesa e kohës që mbetet pas kthimit nga shkolla, në gjykimin tim, nuk është e mjaftueshme edhe për ta kaluar klubeve apo kafeneve, edhe të studiosh sa e si duhet, kur mendon që çasti i zgjedhjes së të ardhmes, nëpërmjet zgjedhjes së programit të studimeve në universitet, varet pikërisht nga këto tre vjet, e kjo është një sakrificë që ia vlen të bëhet! Por, kjo nuk pengon aspak e askënd, e patjetër as mua, të shijoj një kafe a ëmbëlsirë me shoqet e të marr pjesë në festa me miqtë.

-Cila është marrëdhënia jote me rrjetet sociale?

Jam një përdoruese e moderuar e tyre, kënaqësi (nëse mund ta quajmë të tillë) nga e cila nuk e kam privuar veten. Them e moderuar, sepse i përdor për funksionin që shpesh ato ofrojnë, pa abuzuar me kohën e qëndrimit në to. Jo vetëm njohja me bashkëmoshatarët nëpërmjet tyre, por edhe përvoja e mirë që mund të marrësh prej tyre, nëpërmjet diskutimeve për çështje të ndryshme, informacioni që ofrohet në kohë reale, nëse je i aftë ta seleksionosh e ta përdorësh në favorin tënd, të gjitha këto arsye, i bëjnë ato të dobishme. Pjesëmarrja në olimpiada dhe njohja me bashkëmoshatarë nga shtete të ndryshme të botës, e ka bërë edhe më të gjerë rrethin e njohjeve dhe komunikimi nëpërmjet këtyre rrjeteve, të sjell më afër e të njeh me të rejat e fundit, edhe me njerëzit nga vendet më të largëta.

-Çfarë të pëlqen të bësh në kohën e lirë?

Deri tani kam pasur pak të tillë dhe jam përpjekur ta shfrytëzoj për argëtimet që më pëlqejnë më shumë, si noti, shahu, volejbolli, muzika, udhëtimet etj.

-E mendon të largohesh nga Shqipëria?

Ky është një mendim që të shkon shpesh në mendje, kur mendon që, shumë prej të njohurve tanë, qofshin familjarë, të afërm, shokë a shoqe që i ke pasur në shkollë, me gjithë përfundimin e studimeve të larta me mesatare të lartë, apo me kualifikime mjaft të larta, ose e kanë të vështirë të punësohen, për shkak të mungesës së faktorit “mik” ose i largojnë nga puna pa asnjë motivacion dhe gjithë jeta e tyre, ende e pafilluar, gjithë ëndrrat e tyre, shkrumbohen në një çast të vetëm. Po, e kam menduar që largimi për studime në një shtet që të siguron një edukim që meriton vërtet brezi ynë, do të ishte investimi më i mirë për të nesërmen që ëndërrojmë.

Vazhdo leximin
Kliko të komentosh

Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu

Përgjigju

MË TEPËR

Mix2 orë më herët

Çfarë ndodh në organizëm nëse nuk hani sheqer për 10 ditë

Sheqeri ka një efekt shkatërrimtar në organizëm dhe nxit shfaqjen e shumë problemeve dhe sëmundjeve shëndetësore siç janë: diabeti i...

Mix2 orë më herët

Faktori që ndikon në shtimin në peshë – Këshillat që ju duhen

Ushqyerja e keqe dhe shtimi në peshë janë pjesë e një cikli vicioz që rrezikon shëndetin jo vetëm të të...

Mix2 orë më herët

Përfitimet e pafundme nga lëngu i mandarinës

Kjo është stina e mandarinave. Ky frut i shijshëm pak më i vogël se portokalli mund të hahet në formën...

Mix2 orë më herët

Speci djegës – Si ta përdorni për shëndetin e zemrës

Speci i kuq djegës është përdorur prej mijëra vitesh kundër disa problemeve shëndetsore. Këtu përfshihet urthi, kllapia, sëmundjet e stomakut,...

Radar2 orë më herët

-Hej, Siri, a mund të më gjesh një mik të besueshëm?

Nga Ornela Çuçi “Popujt zakonisht i këndojnë virtyteve që nuk i kanë” më tha kolegia ime nga Kosta Rika në...

Mix2 orë më herët

Spotify publikon listën me këngët më të dëgjuara në historinë e saj

Aplikacioni muzikor Spotify ka ndarë një listë të 10 këngëve më të transmetuara në historinë e tij. Spotify është bërë...

Mix3 orë më herët

Andrea Toska, 14-vjeçari shqiptar që u shpërblye nga Samsung pasi zbuloi defektin në softuerin e tyre

Andrea Toska është një 14-vjeçar shqiptar, i cili ka arritur të zbulojë një defekt në softuerin e telefonave celularë Samsung...

Mix3 orë më herët

Qumështi i shtrydhur me pompë më pak i shëndetshëm sesa ushqyerja direkt nga gjiri?

Qumështi i gjirit i shtrydhur me pompë mund të mos jetë aq i shëndetshëm për fëmijët, sa qumështi i dhënë direkt nga...

Kioske3 orë më herët

Nëse nevojën për politikanë të rinj opozitarë do ta kishte përmbushur PD …

Nga Indrit Vokshi Partitë e reja Lulëzuan sepse degradoi PD-ja. Në raport me to, Fevziu, Sandri, Carlo, Vjollca, Irfani, Ylli,...

Mix4 orë më herët

Arsyeja absurde pse Mark Zuckerberg eliminoi fact checking nga Facebook

Lajmi për eliminimin e verifikimit të fakteve nga palët e treta nga rrjetet sociale Meta ka ngjallur jo pak komente...

Facebook