Radar
39 kg në vit për person, shqiptarët të fundit në Europë për konsumin e mishit
Një shqiptar konsumon 39 kilogramë mish në vit, thënë ndryshe 3.2 kilogramë në muaj ose afro 750 gramë në javë. Kjo sasi është më e ulëta në Europë.
Shqipëria renditet në vendin e fundit së bashku me Maqedoninë e Veriut, Moldavinë dhe Turqinë. Më shumë mish hanë spanjollët, 99 kilogramë për person në vit.
Por cilat janë arsyet prej të cilave qytetarët pranojnë se kanë ulur sasinë e konsumit?!
Ato lidhen me moshën dhe koston e lartë. Tregtarët pohojnë se vit pas viti shesin më pak mish për arsye që nisin nga çmimi e deri tek ulja e popullsisë.
Ndërkohë as blegtoria nuk është në ditën e saj më të mirë. mishi i viçit nga 8500 ka shkuar në 12 mijë lekë.
“Ndikon rritja e çmimit por ndikon dhe largimi i njerëzve, ka më pak konsumator. Por edhe ne kemi vështirësi në furnizim, ka rënë numri i gjedhëve, dhe detyrohemi ta blejmë mishin më shtrenjtë.”
Spartak Llanaj – Tregtar mishi
Nëse e shohin në një këndvështrim tjetër, atë të shëndetit, dietologët thonë se sasi e mishit që shqiptarët konsumojnë është e duhura, nëse do kishin të gjithë mundësinë e një sasie të tillë në tryezat e familjes.
“Konsumi i moderuar i mishit është i shëndetshëm. Shpeshtia e mishit në javë, duhet të jetë një deri dy herë në javë, e mishit të kuq po flasim. Themi 200-400 kg në javë. Shpeshtia bëhet problematike për shëndetin.”
Enkeleida Ferrollari – Nutricioniste
Në vitin 2022, Shqipëria kishte 12% më pak gjedhë, 2.7% më pak dele 6% më pak dhi. Edhe ajo pak sasi e nevojshme për mish në vendin tonë nuk plotësohet nga prodhimi vendas, duke bërë që tregtarët t’u drejtohen tregjeve rajonale për të furnizuar konsumatorët./A2CNN