Radar
Rrëzoni kryeministrin, që ta keni mirë me Amerikën
Departamenti amerikan i Shtetit nxiti Pakistanin të largonte kryeministrin Imran Khan nga detyra, vitin e kaluar, si ndëshkim për qëndrimin e tij neutral në lidhje me konfliktin në Ukrainë. Lajmin e bën të ditur “The Intercept”, e cila citon një kabllogram sekret diplomatik të marrë nga një burim ushtarak pakistanez.
Fjala është për një takim midis zyrtarëve të Departamentit të Shtetit të SHBA dhe ambasadorit të Pakistanit në SHBA më 7 mars 2022, dy javë pas ndërhyrjes ushtarake ruse në Ukrainë. Pikërisht në atë kohë, Khan po zhvillonte një vizitë në Moskë, gjë që e acaroi jo pak Uashingtonin.
Në emër të këtij të fundit, ambasadorit të Pakistanit në SHBA i flet Donald Lu, aktualisht ndihmëssekretar i Shtetit për Byronë e Çështjeve të Azisë Jugore dhe Qendrore, më parë ambasador në Tiranë.
“Këtu dhe në Evropë janë mjaft të shqetësuar se pse Pakistani po mban një pozicion neutral në mënyrë agresive (lidhur me Ukrainën). Ne nuk na duket dhe aq neutral ky qëndrim”, citohet Lu gjatë takimit me homologun e tij pakistanez, Asad Majeed Khan.
Ndërsa ky i fundit përpiqet ta korrigjojë diplomatin amerikan, duke vënë në dukje se qëndrimin zyrtar të Pakistanit për Ukrainën e kishte e gjithë qeveria, Lu ngul këmbë se është Khan problemi dhe shton se “nëse një mocion mosbesimi kundër kryeministrit do të ketë sukses, Uashingtoni do të falë gjithçka.”
“Përndryshe, mendoj se do të jetë e vështirë të ecet përpara”, shton Lu, duke theksuar se Evropa do të ndjekë shembullin e SHBA-së në “izolimin e kryeministrit”.
Nuk mund të them se si do të shihet kjo nga Evropa, por dyshoj se reagimi i tyre do të jetë i ngjashëm.
Sipas kabllogramit, diskutimi përfundon me fjalën e ambasadorit pakistanez, i cili thotë se shpreson që çështja e luftës Rusi-Ukrainë të mos “ndikojë në marrëdhëniet dypalëshe”. Lu i thotë atij se dëmi ishte real, por jo fatal, dhe me largimin e Khan, marrëdhënia mund të kthehej në normalitet.
“Unë do të argumentoja se tashmë, nga këndvështrimi ynë, është krijuar një dëmtim në marrëdhënie”, shprehet Lu, duke iu rikthyer sërish “situatës politike” në Pakistan. “Le të presim disa ditë për të parë nëse situata politike do të ndryshojë, që do të thoshte se mund të mos kemi mosmarrëveshje të madhe për këtë çështje dhe çarja do të rikuperohet shumë shpejt. Përndryshe, ne do të duhet të përballemi me këtë çështje dhe të vendosim se si ta menaxhojmë atë.”
Vetëm një ditë pas këtij takimi, më 8 mars, kundërshtarët e Khan në Parlament avancuan procedurën për një mocion mosbesimi.
Ndërkohë, Departamenti i Shtetit e përjashton ndërhyrjen në punët e brendshme të Pakistanit.
“Ne e kishim shprehur shqetësimin për vizitën e kryeministrit të atëhershëm Khan në Moskë në ditën e pushtimit rus të Ukrainës dhe e kemi komunikuar këtë kundërshtim publikisht dhe privatisht”, citohet nga The Intercept zëdhënësi i DASH.
Pretendimet se Shtetet e Bashkuara kanë ndërhyrë në vendimet e brendshme për udhëheqjen e Pakistanit janë të rreme. Ata kanë qenë gjithmonë false dhe vazhdojnë të jenë.
Khan u largua nga detyra e kryeministrit një muaj pas bisedës së Lu me ambasadorin pakistanez. Ai nuk arriti ta kalonte mocionin e mosbesimit, ndërsa pak ditë më vonë, pasardhësi i tij, Shehbaz Sharif, la pas neutralitetin, duke u rreshtuar në krah të Ukrainës. Ushtria pakistaneze menjëherë u bë pjesë e një pakti mbrojtjeje, pjesë e të cilit ishin “stërvitje të përbashkëta, operacione, trajnime, baza dhe pajisje”.
Ndërsa Khan e ka akuzuar si ideatorin e largimit të tij nga pushteti, Uashingtoni e ka mohuar kategorikisht t’i ketë bërë presion Islamabadit për një gjë të tillë. Kabllogrami të cilit i referohet “The Intercept” nuk ka karakteristikat e një urdhri të drejtpërdrejtë, por duke gjykuar nga mënyra se si rrodhën ngjarjet, nuk mund të mos shihet si pjesa e munguar e mozaikut.