Mix
Infarkti i zemrës, simptomat dhe shkaktarët
Infarkti i zemrës, kjo fjalë e rëndë që po dëgjojmë gjithmonë e më shpesh, na sjell në mendje një zemër që ka rrahur për herë të fundit, një mikun tonë që nuk jeton më, apo dikë tjetër që ka mbetur invalid.
Infarkti i miokardit (muskulit të zemrës) shkaktohet nga mbyllja e njërës (ndodh edhe më shumë se sa një) prej arterieve kurorë të zemrës nga një tromb, pllakë yndyrore etj.
Zona e muskulit të zemrës që furnizon kjo enë gjaku e bllokuar (arterie, arteriolë) nuk furnizohet me oksigjen dhe lëndë ushqyese, për pasojë zemra dështon (ndodh insuficienca, pamjaftueshmëria) e zemrës.
Dështimi i zemrës (insufiçiencë do e dëgjoni nga mjekët) do të thotë që zemra nuk është në gjendje të pompojë gjak të mjaftueshëm për të përmbushur nevojat e trupit.
Simptomat (simptoma quhen shenjat në praktikën mjekësore) e zakonshme të infarktit të pjesshëm të zemrës përfshijnë dhimbjen e fortë ose progresive të gjoksit, shpatullës, krahut të majtë, gulçimin, mpirjen, djesitje, humbje ndjenjash, etj.
Duhet të jeni gjithmonë të vëmëndshëm dhe të telefononi mjekun tuaj të familjes, një mjek mik ose shërbimin e Urgjencës Kombëtare 127 nëse vëreni ndonjë nga këto shenja:about:blank
– Dhimbje e papritur ose progresive e gjoksit, shpinës, shpatullës e krahut të majtë, ose mpirje të tyre.
– Mungesë rehati, mbajtje fryme, gulçim.
– Djersitje të shtuar, dridhje, të pêrziera, të vjella,
– Ju del gjumi duke u ndjerë vështirësi në frymëmarrje.
– Keni kollitje ose frymëmarrje të shpeshta.
Në pervojën time si mjek familje dhe si mjek urgjence kam ndeshur me pacientë që i nënvlerësojnë simptomat paralajmëruese, ose i mbivlerësojnë.
Këshilla ime është që më mirë t’i mbivlerësoni se sa të rrezikoni.
Jeta na jepet vetëm një herë miq!
Edhe ndryshimet e vogla të simptomave mund të jenë domethënëse.
Ndoshta për të gjithë ata që mjekohen për probleme të zemrës, apo kanë filluar të kenë shqetësime është mirë të mbajnë një ditar, duke shkruar simptomat e reja ose ndryshimet në ato ekzistuese, kështu mund të gjurmojnë ndryshimet me kalimin e kohës.