Letersi
Vdekja e Pompeit
VDEKJA E POMPEIT
Nga Petrit Nika
Nata ka rënë mbi llagëmet e gurta të Pompeit,
Magna Lupa* në anë të rrugës ndrin si fanar,
Optimus Maximus** prej verës është dehur krejt,
në rrugë baret ende ndonjë centurion xanxar.
Në zdërhallje janë kredhur pretorë dhe edilë,
piktorë, remtarë, konkubina, prostituta;
harbojnë centuria, jarana teveqelë e katilë,
dhe mjerimi në myk dergjet nëpër skuta.
Varfanjakët të drobitur kanë rënë të flenë,
mbi shtroje leshnikësh dalëboje të rrjepur,
Plini plak*** me detarët e tij në liman fllugën lënë
dhe kthehen në vatër për të fjetur.
Natë gushti. Si rëndom në qytetin plot shkëlqim,
gjallon jeta shkujdesur në luks e në derte,
galdon bulkthi i natës, diku një qen angullin,
një çift i fejuar këndon në latinishten e vjetër.
Në çdo cep të rruzullit viti shtatdhjetë e nëntë,
vestalet nderohen sipas mundësisë edhe këtu;
shortarët mburravecë s’e kanë parathënë,
se cila do të ishte nata e fundit për ju.
Befas qyteti drithërohet, lëkundet, hepohet si fllugë,
dhe muret çahen, thërrmohen tjegullat mbi çati,
mbi tokë si mal nga deti përhapen dallgë me ujë,
si re nga mali derdhet shtuf i zjarrtë me hi.
Koha s’ka kohë! Koha ndalon përjetë!
Përmbi qytet vërshon kudo një det i zjarrtë,
me hi, me llavë, me shtuf e gurë të nxehtë,
Saturni ngre kudo një karakoll të lartë.
Pas pak… Oh, s’ka mbetur më asgjë mbi dhé,
as dhé s’ka mbetur, as gurë, as dru në pyll,
veç hi i zjarrtë e llavë nga toka gjer në re,
dhe s’duken më kurrkund as hënë, as yll.
Nën llavë mbetën përjetë! Fjetën n’amshim,
aty ku ishin atëherë kur zu të vjelli mali;
të gjithë me faj, pa faj, nën një mallkim,
tok në varr të thellë përjetë Vezuvi i kalli.
Kaluan vite e shekuj! Pothuaj dy mijë vjet!
Dy mijë vjet dhe njerëzimi Pompein s’e harron!
Në botë prapë zdërhallje ka,mjerim ibret,
dhe prapë askush këtu tek ne s’beson Armagedon.
11 shtator 2016
________________________
* Magna Lupa (Lupanari) – ishte bordello me e madhe e Pompeit, nder qindra te tjera qe kishte qyteti…
**Optimus Maximus (Jupiteri), ishte hyjnia kryesore qe adhuronin romaket. identifikohej me Zeusin grek
***Gaius Plinius Secundus – shkrimtar dhe dijetar romak, vdiq me 24 gusht te vitit 79 nga llava e Vezuvit
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu