Radar
Të mbajmë fort akademikët, pa mjekë kemi plot….
Ndërsa Kalon e hoqëm direkt, për Gjinushin bëmë një ligj të posaçëm që të mos dalë në pension.
Këta dy burra janë dy njerëz të shquar në fushat e tyre. Prof. Tritan Kalo është një mjek i njohur dhe një personalitet në fushën e tij.
Prof. Skënder Gjinushi ka qenë një matematikan, një mendje e ndritur e fushës, në kohën e tij. Por më pas ai e la matematiken dhe u bë politikan. Beri një parti, të cilën para 5 vitesh e shiti dhe bleu Akademinë e Shkencave, më saktë e këmbeu si dikur, mall me mall.
Doktorin pak ditë më parë e nxorën në pension. D.m.th mbushi moshën dhe nuk e lejuan të punonte pas kësj asnjë ditë me shume. Ka rregulla, mbushe moshën, një copë letër për njoftim dhe hajt.
Në fakt, ndërsa jemi duke luftuar e bërë ligje të posaçme për të detyruar mjekët e rinj të mos ikin, përse të mos mbajmë edhe pak këta të vjetrit, derisa kane ende çfarë të japin në spitale (në të vërtetë kanë shumë)?
Ndërsa Kalon e hoqëm direkt, për Gjinushin bëmë një ligj të posaçëm që të mos dalë në pension. Shumë zhurmë u bë, shumë, u shkelmua me këmbe çdo procedurë demokratike në Akademinë e Shkencave, vetëm që Gjinushi të mbetet sërish kryetar.
Meqë ra fjala, doktori emigroi sapi doli në pension. Atë nuk e kap ai ligji që u miratua në mesnatë për mjeket e rinj, në të njëjtën seancë me ligjin që ndalon Gjinushin të dalë në pension.