Kritike
Erion Veliaj real, pa filtrat e zyrës gjigande të propagandës
Nga Andi BushatiFotomontazh: Veliaj dhe Bushati
Njëri etiketohet si hajvan, tjetri paralajmërohet se çmimin do ta paguajë bosi i tij, dikush etiketohet si i paguar nga bandat apo bosët e drogës, për të arritur në raste ekstereme, si ai kur mbajtëses të faqes Lolita i’u përmend që ka dhe dy fëmijë.
E gjithë kjo skizofreni e paimagjinueshme për një mendje normale e ka një shpjegim. Erion Veliaj del nga binarët, humb toruan dhe shfazohet, në ato raste të ralla kur e vërteta i del nga kontrolli. Ai është mësuar ti servirë publikut një imazh të trukuar, të modeluar nga stafi i bashkisë, përmes kronikave të gatshme që prodhohen në zyrat e saj. Këtë e ka arritur falë një sistemi të vajisur gati në perfeksion.
Pothuajse të gjithë pronarët e mediave të mëdha, kanë biznesin e tyre kryesor ndërtimin në Tiranë. Dhe si pasojë e kësaj, lëshuesi i lejeve apo shpërndërësi i metrave katrorë bëhet i paprekshëm. Për hir të së vërtetës, duhet pranuar, se gjithmonë ka qenë kështu. Në kohën kur Nano ishte kryeministër, Rama përkëdhelej mediatikisht më shumë sesa ai. Për të njëjtat arsye edhe Lulzim Basha ishte shumë më i mbrojtur sesa shefi i vet Berisha, ndonëse ky i fundit ishte në krye të qeverisë.
Pra pasja në dorë e shpërndarjes së favoreve për industrinë më të pasur të vendit e bën qytetarin e parë të Tiranës, edhe më të paprekshëm sesa kryeministri. Këtë e kanë theksuar me forcë edhe të gjitha organizatat e lirisë së shtypit që nënvizojnë degradimin e përvitshëm të saj, si pasojë e pronarëve të gjithëpushtetshëm të mediave, biznesi i të cilëve varet nga lejet e ndërtimit. Por fakti se këtë fenomen-, të cilin Veliaj e ka trashëguar-, ai e ka ngritur në një perfeksion makiavelik, i ka detyruar edhe Reporterët pa Kufij edhe koalicionin e shoqatave evropiane për lirinë mediatike ta shënojnë në raportet e tyre.
Nën Erion Veliajn sistemi ka arritur në një çmenduri të tillë, sa dhe grupi mediatik të cilit Edi Rama i ka shembur, sekuestruar apo gjobitur çdo biznes, vazhdon të sillet si zyrë propagande e kryebashkiakut. Ne kemi mbërritur në episode të tilla absurditeti, sa para fushtës së fundit, të gjithë TV dhanë një kronikë, se kryebashkiaku kishte dalë të asfaltonte rrugë, mbrëmjen e vitit të ri. Por kur disa kohë më vonë, rivali i tij Belind Këlliçi, tregoi me dokumenta se e njëjta rrugë, Xhon Belushi, ishte një vepër korruptive me tender fiktiv, askush nuk u kujtua t’a jepte më lajmin. Në mandatin e tij të tretë ‘Lali” ka arritur që në ekrane ta shesë të bardhën për të zezë, betonin si gjelbërim, mbipopullimin si zhvillim, trafikun e rënduar si modernizim dhe ajrin kanceroz si shërim. Ai ka ndërtuar një fabul oruelliane krejtësisht të kundërt nga e vërteta. Prandaj dhe kur ndeshet me gazetari serioze, si në rastin e Ola Xamës ai del nga vetja. Sepse nëse portreti, imazhi, sfondi me pemë, mund të retushohen, për ndryshimin e karakterit ende nuk kanë lindur specialistë “PR”.
Në impulsivitet e sipër, me mesazhet që i ka nisur gazetares, Erion Veliaj është treguar ai reali, pa filtrat e zyrës gjigande të propagandës. Por për këtë nuk është ai fajtori i vetëm. Reagimi i tij ndaj shkrimit të BIRN, po aq sa skandaloz, është njëkohësisht dhe i pafajshëm. Ai sendërzon kundërveprimin e një njeriu të ç’mësuar ta shohë veten në pasqyrë.
Prandaj pjesën tjetër të fajit, duhet ta mbajmë ne, puntorët e përditshëm të tregut mediatik. Ne që e kemi gënjyer edhe vetë Veliajn për të mos i’u dukur vetja lakuriq. Edhe ne, të gjithë, jemi nga pak fajtorë të shantazhit që u bë ndaj Ola Xamës.
/Lapsi.al