Mix
Vajza shqiptare merr vëmendjen e gazetave italiane, për të dytin vit radhazi del ekselente në shkollë
Një vajzë me origjinë shqiptare ka pushtuar faqet e para të mediave italiane, për shkak të rezultateve ekselente në shkollë.
Samantha Gjeci, nxënësja që sapo ka mbyllur vitin e katërt në një gjimnaz të Trevisos, cilësohet si studentja model, pasi në dy vite radhazi ka pasur në diplomë të gjitha notat dhjeta.
“ Prindërit e mi më mbështesin dhe janë shumë krenarë. Tridhjetë vjet më parë babai im erdhi në Itali nga Shqipëria. Dhe e di sa sakrifica ka bërë për mua. Unë jam një perfeksioniste. Kjo më nxit. Ishte më e ndërlikuar të konfirmohesha në këto nivele. Ndjeva pak presion, por në fund i menaxhova emocionet”, ka treguar vajza e cila thotë se nuk e privon veten nga aktivitetet në kohën e lirë si moshatarët e saj.
Samantha ka kryer tashmë një stazh në sektorin e ndërtimit të Bashkisë Treviso ndërsa thotë se do të zgjedhë një nga degët e inxhinierisë për të studiuar në universitet.