Radar
Studentët e mjekësisë në protestë kundër kontratës së detyrueshme: ‘Duam përmirësime konkrete’
FOTO: REPORTER.AL
Studentë të mjekësisë u ngritën në protestë të martën pranë rektoratit të Universitetit të Mjekësisë (UMT) për të kundërshtuar një draft-propozim që parashikon lidhjen e një kontrate, e cila i detyron studentët që të punojnë në Shqipëri për të paktën 3 vite pas diplomimit, ose në të kundërt, të paguajnë tarifën e plotë të studimit, që përllogaritet deri në 5,000 euro.
Draft-propozimi mbështetet nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë dhe së fundmi u aludua se vendimi për lidhjen e një kontrate do të prekë jo vetëm maturantët e këtij viti, por edhe studentët që studiojnë për mjekësi aktualisht.
“Para se të fajësoni mjekët, ktheni gishtin nga vetja dhe mendoni se “çfarë duhet të bëjmë për t’i mbajtur”. Duam përmirësime konkrete. Nuk duam fjalë dhe gënjeshtra. Përmirësoni kushtet dhe studentët rrinë. Mjeku nuk duhet të jetë kurrsesi i detyruar,” u shprehën studentët në protestë.
Në fillim të marsit, kryeministri Rama tha në Kongresin e Shëndetësisë se “në kushtet e sotme rezulton e pamundur që shteti shqiptar, taksapaguesit, mundësitë e të cilit nuk janë të pakufizuara, të paguajnë 15 nga 16 pjesë të financimit të studimit të një mjeku. Pra, sot studenti i mjekësisë paguan 1/16 e kostos reale.”
Vitet e fundit, Shqipëria po përballet me largimin masiv të bluzave të bardha, kryesisht drejt Gjermanisë. Kur adresoi problemin, kryeministri Rama u shpreh se “shteti shqiptar nuk financon studimet për sistemin shëndetësor gjerman. Ky është problem që shumë vende e kanë adresuar dhe ka ardhur koha që dhe ne ta adresojmë. Nuk mjafton që të kryesh një shkollë dhe të kesh përmbushur detyrimet e tua në aspektin teorik, por duhet dhe aspekti praktik.”
Ndërkohë, studentët vunë në dukje se zgjidhja për t’i mbajtur në Shqipëri duhet të jetë nëpërmjet kushteve motivuese të punës dhe jo nëpërmjet kontratave të detyrueshme.
Ministria e Arsimit, Evis Kushi, deklaroi se së bashku me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, rektorin e Universitetit të Mjekësisë, Prof. Arben Gjata, si dhe pedagogë të UMT, kanë realizuar disa takime për të dëgjuar pretendimet e studentëve, konsultime që do të vijojnë edhe në ditët në vijim.
Studentët kanë theksuar se protestat do të vazhdojnë nëse qeveria nuk tërhiqet nga propozimi në fjalë.