Kryesore
Përplasjet mes policisë dhe muxhahedinëve në MEK, Berisha kërkon hetim ndërkombëtar
Kryedemokrati Sali Berisha ka kërkuar hetim ndërkombëtar për përplasjet mes policisë së shtetit dhe muxhahedinëve në kampin Ashraf 3, gjatë operacionit policor.
I ftuar në studion e “Publikisht” në RTSH, Berisha dënoi sulmin e policisë ndaj kampit, teksa tha se çfarëdo situate të ishte, nuk mund të shkohej në kundërshtim me rregullat e tyre.
Sa i përket sulmeve kibernetike, Berisha tha se kanë ardhur nga administrata shqiptare.
“Një sulm në një kamp me breshëri dhe me të vdekur është një akt pothuaj terrorist. Nuk përjashtoj asnjë mundësi që brenda atij grupi të ketë përfaqësues të Iranit, përfaqësues të grupeve terroriste të tjera, por dënoj me ashpërsi një sulm në të cili thuhet se ka 25 të lënduar dhe 1 apo disa të vdekur. Kërkoj hetim ndërkombëtar për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje. Çfarëdo të ishte, nuk mund të shkohej në këtë mënyrë sepse ata kanë rregullat e tyre. Kam dyshime, ka patur një spekulim me sulmet kibernetike iraniane. A kanë qenë ato reale? Po, jam i bindur se regjimi i iranian ka marrë sulme kibernetike ndaj Shqipërisë. Por kam bindje absolute që sulmet kibernetike kundër sistemeve të Shqipërisë i bënë njerëzit e administratës shqiptare para iranianëve”, tha Berisha.