Aktualitet
Kastrati u “vjedh” 130 lekë qytetarëve vetëm nga kursi i këmbimit
Shefqet Kastrati dhe Rruga e Kombit – Foto ilustrim
Çdo qytetar që paguan tarifën në traun e vendosur në Rrugën e Kombit nga Shefqet Kastrati dhe Pëllumb Salillari, nëse e bën pagesën në lekë paguan më shumë.
Kompania nuk njeh luhatjet e kursit të këmbimit dhe operon me tarifat fikse, prej 5 eurosh, ose 660 lekë, që ishte shumë në monedhën vendase e konvertimit të euros në kohën e dhënies së koncesionit.
Por, sot 5 euro bëjnë vetëm 530 lekë, që do të thotë se qytetarët që zgjedhin të paguajnë në lekë humbasin 130 lekë vetëm nga kursi i këmbimit që aplikon Shefqet Kastrati dhe Pëllumb Salillari në traun e Rrugës së Kombit.
Aplikimi i tarifës në këtë autostradë nisi në datën 17 shtator të viti 2018, pavarësisht kundërshtive që hasi ky vendim dhe protesta që solli në arrestimin e disa qytetareve.
Qeveria vendosi një tavan lidhur me çmimet që duhet të paguajnë qytetarët sipas kategorisë së automjeteve apo shtresave në nevojë, ku përjashtim bënin vetëm banorët e Kukësit të cilët paguajnë 100 lekë të reja për çdo kalim.
Koncesioni është dhënë për 30 vite dhe kompanisë i është dhënë e drejta që të mbledhë dhe të mbajë të ardhurat nga taksa dhe në këmbim të mirëmbajë rrugën dhe ndërtojë urën e madhe mbi Liqenin e Fierzës.
Në vitin 2021, sipas bilanceve të dorëzuar nga kompania e Kastratit dhe Salillarit, të ardhurat nga tarifat ishin mbi 1,7 miliardë lekë, ose rreth 16 milionë euro. Megjithë fitimin e majmë, Salillari përfiton tendera nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për mirëmbajtjen e kësaj rruge, siç ishte tenderi i fundit për mbrojtjen e rrugës nga Lumi i Matit në kilometrin 9 të saj.