Kryesore
Berisha denoncon skandalin: 547 mijë zgjedhës potencialisht shëtitës u përdorën për manipulimin zgjedhor
Sali Berisha bëri një denoncim për fenomenin siç e cilësoi ai të ‘zgjedhësve shëtitës’, në lidhje me rezultatet e 14 majit. Ish-kryeministri tha se ata janë identifikuar në të gjithë vendin. Berisha bëri një kronologji duke theksuar se fenomeni u shfaq që në vitin 2015 si fantazmë elektorale.
“Farsa elektorale kishte dimensionet e saj të shëmtuara, njëri prej të cilave janë edhe votuesit shëtitës. Votuesit shëtitës u shfaqën si fantazma elektorale në zgjedhjet e 2015-ës, kur në një uzinë pa dyer e dritare dhe të braktisur prej vitesh në Kavajë, ishin regjistruar si vendbanimi 300 zgjedhës, ndërkohë që nuk kishte asnjë njeri.”
“Po në këtë kontekst, në qytetin e Durrësit, u gjetën votues të regjistruar në garazhe, kontejnerë në port e gjer të shatërvani në qendër të qytetit si adresë. Më 25 prill 2021, në rrethin e Durrësit votuan 110 mijë zgjedhës. U konstatuan se 5470 zgjedhës nuk ishin të identifikuar nga makina e identifikimit të zgjedhësve.”
“Ajo që dëshmon në përdorimin e fortë të këtij kontingjenti votuesish shëtitës ishte 6 marsi i vitit 2022. Në Bashkinë e Durrësit votuan 67 mijë votues, pra numri pothuaj u përgjysma. Por ajo që ndodhi në qytetin e Durrësit është se numri i gjedhësve të paidentifikuar u dyfishua nga 5 mijë shkoi në 9600.”
“Po nga kjo analizë na rezultoi se në këtë qytet, 3900 emigrantë që rezultonin sa kishin votuar, asnjë prej tyre nuk kishte ardhur në Shqipëri. Të gjitha këto sa fola më sipër për Durrësin, me të gjithë dokumentacionin, PD ia ka dërguar prokurorisë që bën pingpong nga prokuroria e Durrësit e SKAP-i.”
“Po këto në pamje të parë janë të shkuara. Jo. Në këto zgjedhje ne kemi dokumente se ky fenomen u shumëfishua. Në një emision investigativ të Piranjave, gjetën se një drejtor i Bashkisë së Tiranës, kishte regjistruar në katër apartamente false, rreth 20 qytetarë, të cilët nuk kishin banuar kurrë në apartamentet e tij, por kishin ardhur nga zona të ndryshme dhe kishin votuar për Erion Veliajn.”
“Fenomeni i zgjedhësve shëtitës është një fenomen që po studiohet me intensitet nga PD. Dua të falënderoj Piranjat për investigimin e shkëlqyer që bënë.Ndërkohë ne kemi identifikuar se zgjedhës potencialisht shëtitës, janë në të gjithë vendin rreth 547 mijë vetë. Këta zgjedhës po identifikohen bashki më bashki.”
“Këta zgjedhës do identifikohen qendër pas qendre. Një gjë është e sigurt, se investigimi i plotë i bërë për një adresë false në të cilën ishin të regjistruar 20 votues që nuk kishin banuar kurrë, është dëshmi flagrante, e pakundërshtueshme se Erion Veliaj, ka përdorur sipas analizës sonë, këtë proces antiligjor, antikushtetues, këtë krim elektoral në mijëra e mijëra raste të tjera.”
“Ndaj dhe unë në përputhje me zotimin solemn të PD të mbrojtjes së votës, kërkoj mirëkuptimin dhe durimin e qytetarëve sepse do një punë shumë voluminoze identifikimi i zgjedhësve shëtitës për çdo bashki dhe ne do e bëjmë atë dhe do e paraqesim.”
“Manovra me listat e zgjedhësve është bërë së pari me përjashtimin e mbi 180 mijë zgjedhësve. Zinxhiri mund të shkojë deri në 200 mijë. Në farsën e turpshme elektorale maj 2023 u përdorën fantazmat e zgjedhësve shëtitës apo zgjedhës që votonin në dy apo qendra votimi. Ne do i shkojmë gjer në fund kësaj batërdie, kësaj farse të shëmtuar elektorale.”, deklaroi Berisha.