Aktualitet
Ndalohet për 2 javë importi i shpendëve të gjallë. ( Për dy javë harrohet skandali)
Një ditë pasi emisioni Fiks Fare denoncoi një rast skandaloz, se si pulat skarco hynin nga Greqia në Shqipëri, Ministria e Bujqësisë ka vendosur të pezullojë importin e shpendëve të gjallë. Kjo masë do të jetë në fuqi për dy javë, kohë që sipas ministrisë është e mjaftueshme për garantimin e gjurmueshmërisë dhe verifikimit të origjinës. Ministri i linjës ka udhëruar edhe inspektimin veterinary të detyrueshëm të shpendëve në kufi pavarësisht dokumentacionin. Në reagimin e saj Ministria nuk ka harruar të falenderojë emisionin investigativ që zbuloi këtë skandal. Por a nuk janë strukturat shtetërore ato që duhet të garantojnë sigurinë ushqimore në vend. A nuk paguan Ministria e Bujqësisë dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit që ajo ka në vartësi me qindra punonjës për të kontrolluar ushqimet që tregtohen në vend, prodhime të vendit apo të importit? Sipas emisionit Fiks Fare ky problem është trajtuar edhe 5 vjet më parë, duke kujtuar se çertifikata e origjinës së pulave që hynin nga Greqia ishte lehtësisht e falsifikueshme nga agjetët doganorë. Sipas emisionit që risolli edhe njëherë në vëmendje skandalin, pavarësisht denoncimeve të vazhdueshme, nuk është marrë asnjë masë. Në këtë kontekst reagimi i sotëm i Ministrisë së Bujqësisë është i vonuar dhe ngjan i sforcuar nga bërja publike e problemit.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu