Mix
Veprat më të bukura të artit për t’u parë në Galleria degli Uffizi në Firence
Dikur në pronësi të familjes së pasur dhe me ndikim Medici, Galeria degli Uffizi në Firence është një nga galeritë më të famshme të artit në botë, ku janë të ekspozuara kryeveprat e një sërë artistësh të epokës së Rilindjes dhe Baroke.
Galeria tërheq rreth 4 milionë turistë nga e gjithë bota çdo vit. Me më shumë se 100 dhoma dhe rreth 2200 vepra arti të ekspozuara, mund të kaloni një ditë të tërë duke soditur koleksionin e madh muzeor.
Por, në rast se po planifikoni një vizitë më të shkurtër, pesë vepra të galerisë duhen parë patjetër, nga Sandro Botticelli, Raphael, Artemisia Gentileschi, Caravaggio dhe Michelangelo.
1. Nascita di Venere, nga Sandro Botticelli, 1480
Kjo kryevepër mahnitëse nga Sandro Botticelli, konsiderohet një atraksion hyjnor në galeri. E pasur me kuptim alegorik, vepra tregon historinë e lindjes së Venusit nga deti, marrë nga Metamorfozat e Ovidit.
Botticelli e pikturon Venusin të zhveshur, të vendosur mbi një guaskë deti, ndërsa forcat qiellore e fryjnë drejt bregut të detit. Në të djathtë, një shërbëtore ngre një shall, për të mbuluar bukuroshen, ndërsa ajo hyn në botë për herë të parë.
2. Madonna del Cardellino, nga Raphael, 1505-6
Një nga ikonat më të nderuara të historisë së artit, Raphael ka prodhuar disa nga veprat më domethënëse dhe më me ndikim në të gjithë historinë e artit.
Madonna del Cardellino është një nga këto vepra, me ngjyra të ndezura, ndriçimin dhe kujdesin ndaj detajeve dhe historisë, si dhe duke theksuar rendin matematikor, që mishëron artin e epokës së Rilindjes, me paraqitjen në formë piramide të veprës.
3. Giuditta decapita Oloferne, nga Artemisia Gentileschi, 1620
Gruaja piktore më e famshme e Rilindjes, Gentileschi fitoi reputacion të gjerë si piktore gjatë jetës së saj, në një kohë kur gratë rrallë merreshin seriozisht.
Ajo shpesh portretizonte histori të vuajtjeve ose hakmarrjes së grave, me piktura të heroinave, luftëtareve femra dhe vetëvrasje të grave, duke theksuar betejat me të cilat ishte përballur vetë në jetën e saj.
4. Bacco, nga Caravaggio, 1598
Piktori barok italian Caravaggio, është i njohur në mbarë botën për aftësitë treguese teatrale dhe ky portretizimi i Bacco, perëndisë së verës, është një veçori e karrierës së tij të gjatë dhe të shquar.
Vepër e porositur nga Kardinali del Monte, i cili e mbështeste financiarisht artistin, si dhuratë për Dukën e Madh të Toskanës Ferdinand I, Caravaggio e pikturoi këtë skenë joshëse dhe të këndshme për të shfaqur aftësitë e tij të jashtëzakonshme.
5. Tondo Doni, nga Michelangelo, 1507
Kjo ‘tondo’, ose pikturë e rrumbullakët, është bërë nga artisti i gjithëanshëm Michelangelo, duke paraqitur Familjen e Shenjtë në një skenë të vetme.
Kjo vepër është një nga pikturat e pakta të Michelangelo-s, pasi artisti preferonte skulpturën dhe ia vlen të vizitohet, për të parë mënyrën e të punuarit të artistit dhe paraqitjen tredimensionale të veprës.
/ The Collector