Radar
Elon Musk: George Soros urren njerëzimin
“Më duket si Magneto”, Elon Musk: George Soros urren njerëzimin
Elon Musk ka akuzuar miliarderin kontrovers, George Soros, se urren njerëzimin. Përmes dy postimesh në Twitter, plaformë të cilën bleu disa muaj më parë, Musk tha se Soros i kujton personazhin negativ të serisë së Marvel, “X-Men”, Magneto.
“Soros më kujton Magneton”, shkroi Musk në një postim në Twitter këtë të martë. Dhe kur dikush i kujtoi se Soros është një filantrop që do njerëzimin dhe njëlloj si Magneto, edhe ai është i mbijetuar i holokaustit, Musk iu përgjigj: “Ti mendon se ka synime të mira, por jo. Ai dëshiron të gërryejë çdo qelizë të qytetërimit”.
Postimi i tij mori mbi 25 milionë shikime dhe 165 mijë pëlqim. Musk nuk shpjegoi pse sulmoi Sorosin, i cili përveç se mbështetës, ka edhe kritikë të shumtë në të gjithë botën, sikurse edhe në Shqipëri.
Megjithatë, siç raporton “New York Post”, postimi në Twitter u bë pasi u zbulua se zyra e familjes Soros kishte shitur të gjitha aksionet që kishte te Tesla – kompania tjetër e Musk – gjatë tre muajve të parë të këtij viti.
92-vjeçari Soros, i lindur në Hungari por me origjinë hebreje, është vazhdimisht i sulmuar për atë që përfaqëson Shoëria e Hapur, një organizatë joqeveritare me degë në vende të ndryshme të botës, ku promovon politikat liberale. Sipas “Bloomberg” pasuria e tij vlerësohet në 8,5 miliardë dollarë, ndërsa Fondi Soros mendohet se ka në menaxhim asete me vlerë 28 miliardë dollarë.