Sport
Shifrat zyrtare, ja sa paguhen 8 futbollistët shqiptarë të Serisë A
Gazeta e njohur italiane, “La Gazzetta dello Sport”, ka publikuar listën e plotë me pagat që do të përfitojë çdo futbollist i Serisë A gjatë sezonit 2016-2017. Siç dihet, këtë sezon në Serinë A do të aktivizohen edhe 8 futbollistë shqiptarë, Etrit Berisha, Elseid Hysaj, Arlind Ajeti, Ledian Memushaj, Rei Manaj, Frederik Veseli, Leonardo Maloku dhe Thoma Strakosha.
Hysaj Eleseid (Napoli) and Cristante Bryan (Pescara) during the Italian Serie A football match Pescara vs SSC Napoli on August 21, 2016, in Pescara, Italy. Photo by Adamo Di Loreto
Më i paguari ndër ta është futbollisti i Napolit, Elseid Hysaj, i cili pasi të rinovojë kontratën pritet të përfitojë edhe më shumë se aktualisht, ndërsa ai që përfiton më pak është talenti i Peskarës, Leonardo Maloku.
Elseid Hysaj (Napoli), 600 mijë euro
Mbrojtësi i djathtë i Napolit dhe kombëtares shqiptare është shqiptari më i paguar në Serinë A. Ai përfiton plot 600 mijë euro në vit nga kontrata aktuale, por shumë shpejt pritet të zyrtarizohet rinovimi i tij që do t’ja rriste rrogën më shumë se dyfish, duke qënë se është përfolur për një pagë rreth 1.5 million euro në kontratën e re.
Etrit Berisha (Atalanta), 500 mijë euro
Portieri i kombëtares shqiptare u transferua ditën e fundit të merkatos në formë huazimi nga Lacio te Atalanta. Klubi nga Bergamo do ta paguajë gardianin kuqezi me plot 500 mijë euro në sezon. Berisha pritet të marrë vendin e titullarit te Atalanta, duke qënë se mungesa e hapësirës në formacion ishte arsyeja që u largua nga Lacio.
Ledian Memushaj (Peskara), 400 mijë euro
Kapiteni i Peskarës është ndër më të paguarit e klubit të tij. Ai ka një rrogë vjetore prej 400 mijë eurosh dhe vetëm 4 futbollistë të klubit të sapongjitur në Serinë A përfitojnë më shumë. Duke qënë se mesfushori i kombëtares shqiptare është kapiteni i skuadrës, mbi shpatullat e tij bie një përgjegjësi e madhe për ta udhëhequr ekipin drejt sigurimit të mbijetesës.
Rei Manaj (Peskara), 350 mijë euro
Sulmuesi i talentuar u huazua këtë sezon nga Interi te Peskara me qëllim që të ketë hapësira në formacionin titullar dhe të fitojë eksperiencë. Paga e tij ka pësuar një rritje të ndjeshme, duke qënë se raportimet e vjetshme bënë të ditur që Manaj tek Interi përfitonte 20 mijë euro në sezon, ndërsa kontrata e tij me Peskarën do t’i sigurojë një pagë prej 350 mijë eurosh.
Arlind Ajeti (Torino), 300 mijë euro
Mbrojtësi i kombëtares shqiptare u transferua këtë verë nga Frozinone e cila ra në Serinë B te Torino. Paraqitja e mirë e mbrojtësit në Kampionatin Europian me Shqipërinë i siguroi mundësimin e këtij transferimi. Paga e tij te Torino do të jetë 300 mijë euro në sezon.
Thoma Strakosha (Lacio), 100 mijë euro
Portieri i talentuar i kombëtares shqiptare U-21 u kthye te Lacio këtë sezon, pasi sezonin e shkuar e kaloi në huazim te Salernitana. Pas largimit të Etrit Berishës drejt Atalantës, ai do të jetë zëvendësuesi i parë i Marketit. Kontrata e tij me Lacion i jep atij një rrogë vjetore prej 100 mijë eurosh.
Leonardo Maloku (Peskara), 50 mijë euro
Mbrojtësi i djathtë i talentuar i Pesakrës këtë sezon bëri hapin e madh duke kaluar nga Peskara U19 te ekipi i parë. Futbollisti i kombëtares shqiptare U-19 do të përfitojë 50 mijë euro në sezon nga kontrata e tij me klubin ku luajnë edhe Memushaj me Manajn. Maloku është futbollisti më pak i paguar i Peskarës.
Frederik Veseli (Empoli), pagë e pazyrtarizuar
Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Frederik Veseli, u transferua këtë sezon nga Lugano te Empoli, por ai nuk është federuar ende në skuadrën e Serisë A për shkak se ka probleme në dokumentacion. Për këtë arsye, paga e tij nuk bëhet e ditur.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu