Kioske
Ndryshimet, “Top Story” çdo të hënë dhe të enjte në orën 21:00
Debati politik në Top Channel tashmë fiton një përmasë të re, duke nisur javën me një risi. Takimit të së enjtes së “Top Story”-t, me debatet më të forta politike, të ftuar, analiza dhe intervista, i shtohet edhe një takim i ri.
Emisioni i drejtuar nga Sokol Balla, nga mbrëmja e sotme nis transmetimin çdo të hënë dhe të enjte në orën 21:00, në ekranin e Top Channel, duke sjellë në fokus të opinionit publik personazhet dhe çështjet më të nxehta të politikës së ditës.
I ftuar i së hënës së parë është kryeprokurori Adriatik Llalla, vetëm dy ditë pas prangosjes së ish-ministrit Ksera.
“E hëna është dita kur debati politik merr vrull në fillim të javës, ndërsa përmbyllet në debatin e fortë që bëhet zakonisht të enjteve. Pikërisht ditën e hënë, emisioni politik Top Story fillon diskutimin e temave të forta, për t’i mbyllur më pas ditën e enjte me vazhdimin e diskutimeve, që tashmë janë bërë një traditë”, shprehet Altin Kreka, kryeredaktor i “Top Story”-t.
Pas një suksesi 8-vjeçar në pasqyrimin e aktiviteteve sportive brenda dhe jashtë vendit, “Procesi Sportiv” tashmë zhvendoset ditën e diel, duke i afruar edhe më tej dashamirësit e sportit menjëherë pas zhvillimeve sportive të fundjavës.
Ndërkaq, ristrukturimi i programacionit prek edhe Departamentin e Lajmeve, i cili shton një hapësirë të përditshme informacioni në Top Channel, me edicionin e orës 22:30.
“Lajmet e orës 22:30 në ekranin e Top Channel do të jenë një hapësirë e re e informimit për të qenë sa më afër teleshikuesve me të gjitha zhvillimet më të fundit të çdo mbrëmjeje. Padyshim edhe ngjarjet e argumentet kryesore të ditës do të vijnë ndryshe, më të thelluara, me të ftuar, me intervista dhe me lidhje të drejtpërdrejta”, bëri të ditur Pandi Gjata, kryeredaktor i Departamentit të Informacionit.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu