Mix
“Quo vadis, Aida?”, filmi më i mirë i kinemasë europiane për vitin 2021!
Një dramë boshnjake e kohës së luftës “Quo Vadis, Aida?”, ka fituar çmimin kryesor, pra është shpallur filmi më i mirë në botë në “European Film Awards” për vitin 2021. Filmi përshkruan tmerret e masakrës së Srebrenicës gjatë konfliktit ballkanik dhe përpjekjet katastrofike të forcave paqeruajtëse të OKB-së për të ndërhyrë. Jasmila Žbanić e cila shkroi, prodhoi dhe drejtoi filmin, mori çmimin për regjisoren më të mirë.
Filmi boshnjak mundi një konkurrencë të ashpër në kategorinë e filmave më të mirë. Regjisorja ia kushtoi çmimin nënave dhe grave të Srebrenicës, si dhe baballarëve, grave dhe djemve të vrarë. Aktorja kryesore në film, Jasna Đuričić u shpall aktorja më e mirë. Ndërkaq regjisorja Žbanić u shpreh se:
Kemi përgjegjësi që publikut t’ia ofrojmë të vërtetën, ndoshta është e vërtetë e rëndë, nuk është profitabile, por duhet të kemi tregime komplekse më mënyrë që publiku ynë të jetë i gatshëm për kohëra komplekse që tashmë filluan.
Aktori më i mirë u shpall Anthony Hopkins për rolin e tij në “The Father”, kurse skenarin më të mirë e fituan Florian Zeller dhe Christopher Hampton.
Komedia më e mirë u zgjodh “Ninjababy”, me regji të Yngvild Sve Flikke. “Fleet”, me regji nga Jonas Poher Rasmussen, u vlerësua për dokumentarin më të mirë dhe animacionin më të mirë, ndërsa regjisorja daneze Susanne Bier u nderua për kontributin e saj në kinemanë evropiane në mbarë botën. Ngjarja vjetore ishte rreptësisht digjitale vitin e kaluar për shkak të pandemisë, por organizatorët mundën të organizonin një ceremoni hibride këtë herë.
James Bond mendohet se e “shpëtoi” kinemanë në muajin shtator kur më në fund u publikua “No Time To Die”. Ndërkaq, nëse jeni më të lumtur duke qëndruar në shtëpi me afrimin e netëve të ftohta, nuk mund të mungojnë gjithashtu edhe opsionet e pafundme të filmave të ndryshëm, duke ofruar edhe më shumë arsye për t’u çliruar nga detyrimet sociale. Nga dramat për krimin dhe epikat e fantazisë deri tek western-et e suksesshme, zbuloni në këtë link se cilët janë 15 filmat të cilët do t’ju ndihmojnë dhe do të jenë mënyra më e mirë për të festuar ardhjen e dimrit.