Kritike
Këtë lloj hajdutërie nuk e ka parë ndonjëherë rrota e historisë.
Tenderat e çuditshëm të shtetit, çmenduritë e AKSHI-t dhe FSHZH-së/ Miliona euro për të blerë ajër
Ka një tendencë këto dy vitet e fundit në fushën e prokurimeve publike. Prokurohen kontrata nga institucionet, por që nuk merret vesh se çfarë blihet.
Nëna e kësaj pune, e pakonkurrueshme në asnjë drejtim, është AKSHI. Për shembull AKSHI mund të bëjë tender 30 milionë euro dhe nuk ka bir nëne që e merr vesh se çfarë prokurohet, për çfarë paguhen paratë. Shumica e tenderave janë kështu përmiresim/update i sistemit x. Ose ndëerthurje dhe ndërveprim e sistemit x me sistemin y.
Për shembull, janë paguar një herë para që është ndërtuar sistemi dhe databaza e personelit të administratës ku mbahet lista dhe të dhënat e punonjësve të shtetit. Veç këtij janë paguar para dhe është ndërtuar dhe një sistem tjetër për departamentin e administratës publike. Sot hapën tender dhe i rruajtën 3 milionë dollare që këto dy sistemet të ndërveprojnë dhe të ndërthuren me njeri-tjetrin.
Pas AKSHI-it, që është kampione e padiskutueshme për të shpenzuar para në gjëra abstrakte, kohët e fundit këtë sport e ka filluar dhe Fondi i Zhvillimit. FSHZH hap tender 5 milionë dollarë për të promovuar 100 fshatrat. Objekti i tenderit është që do kontraktohen saze me gërnetë, foni, bokse etj, etj. Sot kishte hapur një tender tjetër 800 mijë dollarë, për të kontraktuar një privat që të regjistrojë në hipotekë tokat e 100 fshatrave.
Pra, nuk e bën bashkia këtë pune, që të regjistrojë tokat e shtetit. Nuk e bën as kadastra. Por do ta bëjë një kompani private që do të marrë 800 mijë dollarë. Pastaj këto tokat, që i regjistrojnë këta, i marrin investitorët strategjikë.
Këtë lloj hajdutërie nuk e ka parë ndonjëherë rrota e historisë. Këta shpenzojnë miliona euro nga leket e miletit, për të blerë ajër.