Mix
Pablo Picasso, 10 fakte për piktorin e famshëm
50 vjet më parë vdiq gjeniu i shekullit, Pablo Pikaso. Po pse kujtohet ai edhe sot? Sa të vërteta ka në mitin e Pikasos? Në vijim po sjellim dhjetë fakte rreth artit dhe jetës së piktorit.
Sa piktura dhe vepra arti ka bërë Pikaso gjatë jetës?
Shifrat janë të ndryshme. Sipas vlerësimeve, piktori dhe skulptori spanjoll ka krijuar gjatë jetës 50 000 vepra, krah pikturave edhe vizatime, grafikë, kolazhe, plastika dhe qeramika.
Asnjë artist tjetër i brezit të tij nuk ka qenë kaq prodhimtar, deri në moshë të madhe. Ai vdiq më 8 prill 1973, si të thuash me furçë në dorë. Kjo gjë mjafton që Pikaso të zerë një vend të veçantë në historinë e artit të ri.
Ç’ moshë kishte Pikaso kur bëri pikturën e parë?
Piktura e parë e tij është një pikturë me vaj, që quhet Pikadori i vogël, për të cilën ai është frymëzuar kur ka parë një luftim me dema. Kjo ka ndodhur kur Pablo Ruiz Pikaso sapo kishte mbushur moshën nëntë vjeçare. Ai vjen nga një familje që është marrë me art, edhe i ati ka qenë piktor.Pikaso duke bërë banjë
Pablo ka lindur më 25 tetor 1881 në Malaga të Spanjës, një qytet ku arti ka traditë shekullore. I ati ka pas dhënë mësim në shkollën e artit, materialet për të pikturuar ndodheshin kudo nëpër shtëpi. I ati e shihte Pikason si fëmijë i jashtëzakonshëm dhe i mësoi që herët vizatimin akademik.
A ka mësuar Pablo Pikaso mjeshtërinë e piktorit, skulptorit dhe dizenjatorit?
Në vitin 1892 Pablo Ruizi i talentuar pranohet në shkollën e artit të Malagas. Krah mësimit normal, Pablo vizaton dhe pikturon në çdo minutë të kohës së lirë dhe shpejt kualifikohet për t’u futur në klasat më sipër.
Mbas shkollës së mesme ai shkon në Akademinë e Artit në Barcelonë, pak më vonë në Akademinë e famshme San Fernando të Madridit. Por piktorit të ri nuk i pëlqejnë metodat e atjeshme të dhënies së mësimit. Mbas gjashtë muajve ai largohet nga ky institucion dhe këtej e tutje vazhdon të mësojë vetë.Ekspozite me vepra te Pikasos
Urinë për dije ai e shuan në muzeume, sallone dhe ateliera, studion teknikat e artistëve të tjerë dhe thith çdo gjë që e rrethon që ka lidhje me artin, letërsinë dhe muzikën.
“Pikaso” shkurtimi i emrit të piktorit që bëhet më vonë i famshëm
Në fillim ai pikturon dhe vë në piktura emrin e plotë Pablo Ruiz Pikaso – Pikaso është mbiemri i vajzërisë së mamasë. Mbas vitit 1900, ai vendos në piktura vetëm shkurtimin Pikaso. Në këtë kohë ai jeton dhe punon në Barcelonë. Deri në vitin 1904, kur hapi një atelie në Paris.
Më vonë mbiemri i tij kthehet në sinonim për artin e madh dhe teknikën e tij të pikturës dhe vizatimit. Në fillim pikturat e tij ishin me ngjyra të forta, gati fantastike. I riu spanjoll, i talentuar kërkon me çdo kusht të bjerë në sy. Egoja e madhe e artistit, e shtyn Pikason të ketë prodhimtari shumë të madhe.
Si e ka Pikaso emrin e plotë?
Pikaso vjen nga një familje borgjeze. Pikaso u rrit së bashku me dy motrat më të vogla në moshë, në një ambient kulturor, shumë të arsimuar. Tradita e familjes është që t’u vërë fëmijëve emra që tingëllojnë bukur. Kështu Pikaso e ka emrin e plotë: Pablo Diego José Francisco de Paula Juan Nepomuceno María de los Remedios Cipriano de la Santísima Trinidad Ruiz y Picasso.
Cilat janë veprat më të famshme të Pikasos?
Me pikturën “Démoiselles d’Avignon” Pikaso krijoi pikturën e parë të kubizmit, duke revolucionarizuar kështu artin. Gratë e pikturuara prej tij pa veshje, nuk kanë vetëm një perspektivë, por mund të shihen nga shumë anë njëkohësisht. Edhe me veprën e tij të dytë, bërë në 1937, Pikaso dha një shembull.Piktura “Démoiselles d’Avignon”, vepra e parë e stilit kubist
Pak kohë pas sulmit të nacional-socialistëve të Legjionit Kondor kundër fshatit të vogël bask Guernika, ai i kushton një pikturë të madhe bërë për panairin botëror të Parisit, viktimave të sulmit. Piktura që është një pikturë kundër luftës, është protestë kundër totalitarizmit. Pikaso nuk donte ta dërgonte në Spanjë sa kohë në fuqi ishte regjimi i Frankos. Sot, piktura tregohet në Muzeumin Reina Sofia.
Kur filloi Pikaso të fitojë para me artin e tij?
Nëpërmjet punëve të bëra në periudhat që nga historia e artit quhen Periudha Blu dhe Periudha rozë, që zgjasin deri në vitin 1904, Pikaso bëhet gjithnjë e më i njohur në Paris. Në vitin 1906 ai njihet me artistin më të famshëm francez të asaj kohe, Henri Matise. Matise i jep mundësi të krijojë shumë kontakte. Mes të cilëve me Ambroise Vollar. Ky blen gjithë pikturat e Pikasos të Periudhës rozë, gjë që e bën Pikason për herë të parë të mos e vrasë më mendjen për para. Më vonë tregtari i artit, Daniel-Henry Kahnweiler, një njeri i famshëm në botën e artit, bën që Pikaso të kthehet në piktorin më të shtrenjtë të shekullit të 20-të.Nje nga 1228 skulpturat e Pikasos
Kahnweiler ndërmjetëson edhe për shitjen e veprës më të rëndësishme të Pikasos, pikturës me format të madh “Les Démoiselles d´Avignon”. Përveç nënshkrimit të kontratës me Pikason, ky galerist i zellshëm gjermano francez, nënshkruan kontrata edhe me piktorët George Braque, Juan Gris dhe Ferdinand Léger dhe si shpërblim kërkon prej tyre që të mos marrin pjesë në ekspozitat zyrtare të salloneve të Parisit. Më në fund Pikaso është në gjendje të ketë një banesë të re dhe të ndërmarrë udhëtime të gjata.
Sa kushton piktura më me vlerë e Pikasos?
Gjatë një ankandi në Nju Jork në vitin 2015, u arrit shifra rekord dhënë për një pikturë të Pikasos, prej 179,4 milionë dollarësh. Piktura me format të madh, “Les Femmes d´Alger”, (shqip: Gratë e Algjerit) që piktori spanjoll ka pikturuar në vitin 1955, u ble nga sipërmarrja e ankandeve, Christies.
Ç’moshë kishte Pikaso kur pikturoi veprën e fundit?
Pikaso arriti gati moshë biblike kur bëhet fjalë për moshë artistësh. Edhe në moshën 90 vjeç Pikaso vazhdonte të ishte aktiv si piktor dhe dezinjator. Ai vdiq më 8 prill 1973, në vilën e tij Notre-Dame-de Vie në Côte Azur në moshën 91 vjeçare.
Në vitet e fundit aktive të jetës si piktor, Pikaso u dedikohet më shumë formave të vogla, delikate të pikturave të llojit jetë e ngrirë dhe dekorimit të brendshëm të shtëpisë së parafundit, vilës “Villa Californie” në jug të Francës.Pikaso me të bijën Paloma
Ai jetoi atje i tërhequr nga bota, bashkë me gruan e dytë, Jacqueline, dhe vajzën Catherinë. Ai kishte kohë që ishte shkëputur nga skena e zhurmshme e artit në Paris dhe nga qendrat e tjera të ndërkombëtare të artit, të cilat e vlerësojnë Pikason si gjeninë e shekullit.
Çfarë u la Pikaso trashëgimtarëve dhe pasardhësve të tij?
Menjëherë pas vdekjes së Pikasos shpërthyen grindjet juridike midis trashëgimtarëve. Marrëdhëniet familjare të tij janë të komplikuara: Pikaso ka qenë dy herë i martuar zyrtarisht, por ka pasur fëmijë edhe me gra të tjera. Fëmijët e lindur nga marrëdhënia me Francoise Gilot, fotografi Claude Picasso dhe dizenjatorja Paloma Picasso, si dhe nipi që është i biri i djalit të ligjshëm të Pikasos, Paulo Picasso (1921-1975), u grindën shumë për pjesët që kishin në trashëgiminë e madhe.Muzeu i Pikasos, Antibes, Francë
Në vitin 1976, pasuria materiale që la pas artisti dhe milioneri Pablo Pikaso, u vlerësua 3,75 miliardë franga (rreth 669 milion euro). Këtu bëjnë pjesë shtëpitë, tokat, atelietë, pasuri të patundshme dhe koleksioni privat i Pikasos me piktura të vlefshme të piktorëve të cilët ai i ka pasur shokë, ose i kanë pëlqyer, si Matise, Miro, Modigliani, Cezane, van Gog.
Trashëgimia artistike që piktori spanjoll la pas vdekjes u vlerësua me rreth 1,275 miliardë franga. Ajo përmban 1885 piktura, 7089 vizatime, 19134 grafika, 3222 qeramika, 1228 skulptura dhe objekte, si dhe 175 libra me vizatime me rreth 7000 vizatime që Pikaso i ka bërë si përgatitje për punimet e mëdha.
Taksa e madhe vënë mbi trashëgiminë disa milionëshe iu pagua shtetit francez nga trashëgimtarët pjesërisht me punime arti të artistit. Këto piktura, vizatime dhe skulptura u përdorën si bazë për të krijuar muzeumin e Pikasos të hapur në vitin 1985 në Paris, një vend tërheqës për vizitorët nga e gjithë bota./ DW