Kryesore
“Kandidatët e PD nuk janë as të barit as të zjarrit”, Berisha i përgjigjet ambasadores Yuri Kim: Foli si McGonigal me fustan
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas deklaratave të ambasadores së SHBA-ve Yuri Kim, e cila tha se personat e përcaktuar nga SHBA për korrupsion s’duhet të jenë përfaqësues të popullit.
Berisha shkruan se Guvernatorja Yuri Kim në përpjekje për një shërbim të fundit Edi Ramës, foli sot njëlloj sikur të fliste McGonigal me fustan. Sipas tij, ajo përpiqet të fshehë aferat e veta korruptive të denoncuara publikisht, por edhe afera të tjera.
Berisha fton inspektorin e përgjithshëm të Departamentit të Shtetit, FBI dhe Kongresin e SHBA të hetojë aferat korruptive të guvernatores Kim, përfshirë këtu pronat e saj në Shqipëri. Ai siguron se kandidatët e PD nuk janë as të barit as të zjarrit, por janë kandidatët e votës së lirë.
POSTIMI I PLOTË
Përgjigje zj. Yuri Kim.
Të dashur miq, Guvernatorja Yuri Kim në përpjekje për një shërbim të fundit Edi Ramës, foli sot njëlloj sikur të fliste McGonigal me fustan. Por me deklaratën e saj për zjarre dhe zjarrvënës, në të vërtetë ajo përpiqet të fshehë aferat e veta korruptive të denoncuara publikisht, por edhe afera të tjera.
Ftoj inspektorin e përgjithshëm të Departamentit të Shtetit, FBI dhe Kongresin e SHBA të hetojë aferat korruptive të guvernatores Kim, përfshirë këtu pronat e saj në Shqipëri.
Partia Demokratike sikundër deri sot është e gatshme të japë kontributin e saj për këtë transparencë.
Partia Demokratike shton se kandidatët e saj nuk janë as të barit as të zjarrit, por janë kandidatët e votës së lirë.
Ajo fton çdo shqiptar të marrë ndryshimin në duart e tij për të shpëtuar vendin nga një e keqe që po zgjat më shumë se një dekadë! Bashkë Fitojmë! #sb #BashkëFitojmë
Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim deklaroi sot për Zërin e Amerikës se është e gabuar që personat e përcaktuar për korrupsion nga SHBA-të të jenë përfaqësues të popullit shqiptar.
Duke iu referuar përfshirjes së personave të përcaktuar nga Departamenti i Shtetit, ku përmendet dhe ish-kryeministri Sali Berisha, ajo tha se “është njësoj si zjarrvënësi i fshatit që premton se do shuajë të gjitha zjarret; madje jo vetëm kaq, por kërkon edhe të gjitha shkrepëset që mund të gjejë nga të gjithë fshatarët e tjerë”.
VOA: Dhe një pyetje të fundit, ju në takimet me drejtuesit e forcave politike, keni theksuar rëndësinë e kandidatëve të pastër dhe më integritet. Megjithatë, kemi vënë re se dhe persona të përcaktuar nga Departamenti i Shtetit, jo vetëm rasti i zotit Berisha, përfshihen hapur në zgjedhje, ndoshta tanimë jo duke kandiduar personalisht, por duke u angazhuar në fushata elektorale, ose duke mbështetur familjarë apo të afërm të tyre që kandidojnë. A jeni e shqetësuar për këtë?
Ambasadorja Kim: Është një gjë e gabuar. Është e gabuar. Në mendimin objektiv dhe të mirëmenduar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, personat të cilët janë të përcaktuar, nuk duhet të jenë përfaqësues të popullit shqiptar. Populli shqiptar meriton më mirë dhe kërkon më mirë. Me këtë ka të bëjë demokracia, me këtë ka të bëjë edhe reforma në drejtësi.
Dhe mendoj se kur ke njerëz të përcaktuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion domethënës, kur këta individë pretendojnë që do të largojnë korrupsionin, është njësoj si zjarrvënësi i fshatit që premton se do shuajë të gjitha zjarret; madje jo vetëm kaq, por kërkon edhe të gjitha shkrepëset që mund të gjejë nga të gjithë fshatarët e tjerë. Është thjesht e gabuar, e gabuar. Dhe mendoj se qytetarët e zakonshëm shqiptarë janë të zgjuar dhe e dinë se kjo nuk ka logjikë. Mendoj se qytetarët shqiptarë meritojnë më mirë dhe më shumë se aq; Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë se Shqipëria meriton dhe duhet të jetë më mirë.