Radar
“Jemi në monizëm”, Berisha: Bojkoti i zgjedhjeve lokale, një nga gabimet më të mëdha të PD
Sali Berisha para të rinjve demokratë dhe përfaqësuesve të forumeve të partive të djathta evropiane tha se Shqipëria është në monizëm, duke akuzuar Kryeministrin Edi Rama se ka pushtet më shumë se diktatorët komunist. Ai deklaroi se fajin për këtë situatë ka dhe Partia Demokratike, pasi bojkotoi zgjedhjet në vitin 2019 dhe i la të gjithë pushtetin lokal mazhorancës.
“Shqipëria ka rënë në një monizëm të dytë, i cili në dallim nga monizmi i viteve ’90, që bazohej në doktrinën çnjerëzore marksiste, monizmi i sotëm bazohet në krimin, drogën dhe vjedhjen. Edi Rama sot kontrollon 10 përqind më shumë pushtete se diktatori i fundit komunist në vitin 1991. Në këtë kontekst, kjo mbështetje e juaj merr një rëndësi edhe më të veçantë. PD dhe forumi i saj, u themeluan dhe mbetën gjithnjë forca më perëndimore e vendit, lokomotiva të vërteta të integrimit të Shqipërisë në NATO dhe BE. Në Shqipëri është vendosur monizmi i plotë, Edi Rama kontrollon në mënyrë të hekurt të gjitha pushtetet. Për gabime të rënda edhe të PD, e cila bojkotoi zgjedhjet lokale, sot në të gjithë Shqipërinë, PD ka vetëm një pushtetar vendor, kryebashkiakun e Shkodrës”, tha Berisha.