Kryesore
“Rama mori hua 5 miliardë euro”, Berisha: Çdo fëmijë që lind sot, lind me një borxh 4300 euro
Kreu i PD, Sali Berisha vazhdon të akuzojë kryeministrin Edi Rama ka marrë në dorë të gjitha pushtet.
Nga Klosi ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” Bedri Hoxha, Berisha tha se nga viti 2013 e deri më sot, Rama ka marrë 5 miliardë euro borxh.
Kjo do të thotë sipas tij se çdo fëmijë që lind sot, lind me një borxh 4300 euro.
“Nga viti 2013 e deri më sot, Edi Rama ka marrë 5 miliardë euro borxh. Me 5 miliardë euro, rrogat në Shqipëri mund të rriteshin 6 herë, rrogat mund të rriteshin 3 herë dhe po kaq pensionet.
Me 5 miliardë euro, çdo fëmijë që lind sot, lind me një borxh 4300 euro. Me 5 miliardë euro, fshati shqiptar, Shqipëria do të ishte një vend krejt tjetër. Këtu po them vetëm borxhin, nuk po flas për taksat që u dyfishuan, nuk po flas për tarifat, gjobat dhe burime të tjera të ardhurash.
Çfarë ndodh me ne? Pse ne sot rreshtohemi të fundit për rrogat dhe pensionet në Ballkan. Në vitin 2013 qëndronim në krye, ajo ishte një arritje e jetës tonë, e jetës së secilit. Ne vërtetë kemi qenë të varfër, jemi rropatur në varfëri në dekada dhe shekuj, por ja dolëm të paguhemi më mirë se të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit në vitin 2013.
Ky trend nuk vazhdoi, përkundrazi çdo vit rriten çmimet, çdo vit rritet inflacioni. Vetëm nga vjet gjer në sivjet, brenda 1 viti, çmimet e ushqimeve janë rritur 12 %, sipas statistikave zyrtare. Pra në 8 vite jo vetëm që nuk marrim rrogën e vitit 2013, por marrim të paktën 30% më pak fuqi blerëse, se sa ç’blinim me atë rrogë në vitin 2013”, tha Berisha.