Gatime
Si bëhet kosi ? Mënyra më e mirë për zënien e kosit në shtëpi – Krejt shëndetshëm
Kosi është një nga ushqimet që nuk mungon kurrë në frigoriferin e një amvise shqiptare.
Kosi është një produkt mirëbërës për të rritur dhe për fëmijë.
Dhe pse kosi i blerë mund të lehtësojë shumë përgatitjen e recetave të ndryshme, por nuk mund të krahasohet me vlerat e kosit të përgatitur në shtëpi.
Shumë amvisa e zënë kosin vetë një herë në dy ose tre ditë për t’u siguruar që ky produkt nuk do të mungojë asnjëherë.
Amvisat e sigurojnë farën e kosit nga njera tjera duke përgatitur kështu kos të freskët në kushtet e shtëpisë.
Të jeni të sigurtë që një nga fqinjët mund t’u sigurojë pak farë kosi.
AgroWeb.org ju tregon gjithçka që ju nevojitet për këtë proces fare të lehtë.
Zënia e Kosit të Shtëpisë
Përbërësit
1 litër qumësht fshati (i paskremuar)
1 filxhan kafe kos i zënë shtëpie
Përgatitja
Për rezultatin më të mirë, AgroWeb.org ju sugjeron që në fillim ta ngrohni qumështin deri në temperaturën 80 C (derisa gishti i vogël i dorës ta durojë).
Nëse ju ngrohni qumështin bën të mundur që të përfitoni një sasi më të përqendruar të tij, pasi avullojnë lëngjet e tepërta.
Kur të shohim avull që del nga sipërfaqja e tenxheres e largojmë tenxheren nga zjarri dhe e lëmë që temperatura e tij të ulet.
Nëse doni mund ta përzieni me një lugë në mënyrë që ai të ftohet më shpejtë.
Në një enë hermetike qelqi ose porcelani (pasi ngrohtësia tek masa përcillet më lehtë) hedhim farën e kosit duke e sheshuar në të gjithë sipërfaqen dhe ngadalë shtojmë pak nga qumështi.
Me ndihmën e një luge druri, e trazojmë në mënyrë që të formohet një masë homogjene.
Më pas shtojmë dhe pjesën tjetër të qumështit. E trazojmë përsëri dhe më pas i vendosim kapakun enës së qelqit.
AgroWeb.org ju sugjeron që enën ta vendosni brenda një qeseje, dhe më pas ta mbuloni me një pecetë të trashë kuzhine.
Vendoseni enën në një vend që të mos lëkundet dhe të jetë pak e ngrohtë dhe lëreni për rreth 3 apo 4 orë në varësi të temperaturës së ambientit, në mënyrë që masa e kosit të behet e dendur dhe e plotë.
Pasi orët të kenë kaluar, zbuloheni enën e qelqit, por tregoni kujdes që të mos e lëkundni shumë.
Hiqeni kapakun lëreni disa minuta, dhe më pas vendoseni në frigorifer në mënyrë që kosi të mpikset plotësisht.
Zënia e Kosit në Kavanoza Qelqi
Një tjetër mënyrë është edhe zënia e kosit në kavanoza qelqi 500 ml. Në këtë rast procesi është i njëjtë vetëm se në secilin kavanoz do shtoni nga një lugë gjelle farë kosi.
Në këtë mënyrë do shmangni thartimin e kosit pas hapjes.
Farën e kosit mund t’ia merrni një miku apo mikeshe, apo nëse doni provoheni me kosin natyral të blerë nëpër supermarkete të ushqimeve natyrale.
/AgroWeb.org