Kryeministri Rama duket krejtësisht i pashqetësuar për problemin e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit në vend, duke sugjeruar se po të ishte problem serioz do ishin shqetësuar ndërkombëtarët.
“Sa serioze është qeveria në luftën kundër kanabisit?”—e pyeti Kryeministrin një qytetar, gjatë një bisedë pyetje-përgjigje me qytetarët, të shfaqur drejtpërdejt në Facebook.
“Qeveria është shumë serioze, por kjo betejë nuk mbyllet dot sa hap e mbyll sytë” pohoi Zoti Rama. Si shembull të seriozitetit Kryeministri solli rastin e Lazaratit duke u shprehur “ne shkatërruam republikën e kanabisit.”
Por Kryeministri u mjaftua me Lazaratin dhe kaloi menjëherë në akuza ndaj opozitës në përgjigjen e tij, duke lënë të nëkuptohet se shqetësimi publik për rritjen e kanabisit është nxitur nga opozita, mes atyre që ai i quajti “teori konspiracioni” se “shqipëria është mbuluar në kanabis.”
Kryeministri anashkaloi të gjitha faktet e bëra publike rreth kultivimit dhe trafikimit masiv të kanabisit në vend, përfshi dhjetra tonë kanabis të kapur nga policia italiane gjatë javëve të fundit apo fotografi, filmime dhe dëshmi të shumta publike nga qytetarë në çdo vend të vendit.
Argumenti i vetëm që solli Kryeministri ishte se akuzat për kanabisin nuk mund të jenë të vërteta sepse qeveria është nën lupën e partnerëve ndërkombëtarë dhe të BE-së dhe nëse ato që fliten do të ishin të vërteta “Shqipëria nuk do të ishte më afër se kurrë ndaj BE-së.”
Duket se Kryeministri mendon se parcelat e kanabisit në Vlorë, Skrapar, Tepelenë, Malësi të Madhe e kudo në Shqipëri nuk ekzistojnë nëse nuk duken nga Brukseli. Në një ore pyetje – përgjigje për publikun, Kryeministri Rama harxhoi 30 sekonda për të folur për kanabisin.
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu