Paralajmërimet se qeveria ka ndërmend të fusë në skemën e sigurimit të detyrueshëm, banesat dhe pasuritë e tjera të paluajtshme, nga fatkeqësitë natyrore, siç janë zjarret, tërmetet apo përmbytjet, është një zhvillim që duhet të trajtohet me përgjegjësi. Realisht tregu i siguracioneve në Shqipëri, është i kufizuar, por dhe përgjigjia e tyre ndaj problemeve të të siguruarve, është thuajse minimale. Rritja e këtij tregu nuk mund të vijë nga masa të detyrueshme shtetërore dhe një institucion si AMF nuk mund të jetë iniciatore për hartime ligjesh. Institucionet që kanë të drejtë për iniciativë ligjëvënse në vend, janë të përcaktuara qartë në Kushtetutë dhe agjensitë nuk hyjnë në këtë listë.
Po përse duhet të jemi të matur në këtë pikë?
Shqipëria është ende një vend në zhvillim dhe pasuritë e paluajtshme të shqiptarëve, janë ende produkt i zhvillimit kaotik të vendit, mes informalitetit dhe iniciativës së qytetarëve për zhvillim. Bumi i ndërtimeve ka ardhur jo vetëm si nevojë, por dhe si mundësi për t’u investuar më lehtë të ardhurat e tyre.
Fatkeqësitë natytore në Shqipëri, siç janë tërmetet apo përmbytjet, janë dispropocionale në raport me fuqinë që kanë shqiptarët për të paguar në mënyrë të detyrueshme një prim sigurimi për to. Ato duhet të vazhdojnë të jenë si alternativë për ata shqiptarë apo biznese që janë të aftë të paguajnë dhe kuptojnë rëndësinë e asaj pagese, por jo për çdo qytetar shqiptar, që mezi ka mundur të sigurojë një pasuri të patundshme dhe në shumicën e rasteve, ka në dorë një pronë joefikase, të ndërtuar pa ndonjë ide të qartë biznesi apo strehimi.
Edhe pse gogoli i tërmeteve apo përmbytjeve bëhet evident pas fatkeqësive të tilla si ai i Italisë, kjo nuk duhet shfrytëzuar për lobimin e shoqërive të sigurimit tek qeveria, duke i shkelur syrin njëri-tjetrit, kundër mundësisë që kanë qytetarët shqiptarë për ta paguar atë.
Ajo që duhet të bëjë qeveria, është të forcojë instrumentat e kontrollit mbi ndërtimet dhe të mos licensojë apo japë leje shfrytëzimi, për ndërtime jashtë kushteve sizmike, së paku deri në 9 ballë në Shqipëri, çka garanton jetën e qytetarëve dhe sigurinë e ndërtimeve. Shqipëria është një vend me risk mesatar nga pikëpamja sizmike, dhe ku fatkeqësitë mund të shmangen nga kontrolli shtetëror mbi cilësinë e ndërtimeve, dhe jo nga të qeverisurit rrumpallë dhe pastaj nga taksimi për të blerë frikën, nga ajo që ke bërë, përmes sigurimit të detyrueshëm.
Është e vërtetë që duhen gjetur të gjitha format e ndërgjegjësimit edhe për ta nxitur sigurimin ndaj fatkeqësive, por kjo s’mund të jetë sigurim i deyrueshëm. Një policë sigurimi ndaj fatkeqësive natyrore, duhet të ketë prim të lartë pagese, nëse do të jetë reale, dhe nuk mund të sigurohet nga parimi “të paguajnë të gjithë nga pak, për ata që do kenë hall kur të ndodhë fatkeqësia”.
Nëse i bën një analizë reale tregut të sigurimeve në Shqipëri, shikon se pjesa më e madhe e shoqërive të sigurimit nuk zotërojnë raporte likuiditeti, që do të thotë se ne kemi shumicën e shoqërive të sigurimit piramida të pastra, që vetëm vjelin ca taksa të detyrueshme, ose japin ndonjë kontratë me lobim personal.
Ekspertët thonë se shumica e shoqërive të sigurimit që operojnë në treg, nuk zotërojnë aftësi paguese në nivelin e kërkuar nga ligji dhe nuk mbulojnë “provigjonet teknike”, sipas kriterit ligjor. Në Shqipëri raporti mes dëmit dhe primit të paguar është ende shumë larg standardeve që rekomandohen nga tregjet normale të sigurimeve. Nuk e di sa kontrolle ka mundur të bëjë Agjensia e Mbikqyrjes Financiare tek këto subjekte, që të kishim një analizë reale risku, por është e sigurtë se tregu ynë i sigurimeve është fallco dhe nuk mund të injektohen tek ai, të ardhura me dhunë nga popullsia, që të forcojmë disa piramida.
Qeveria duhet të jetë në anën e qytetarëve dhe bizneseve, jo duke i detyruar të paguajnë për këto piramida, por duke i garantuar në vendin që jetojnë, që të jenë më të sigurta në banesat që bëjnë dhe më të paprekshëm nga fatkeqësitë natyrore në zonat ku banojnë. Ajo duhet të investojë më shumë në bonifkimin dhe argjinaturat kundër përmbytjeve, më shumë në kontrollin e cilësisë së ndërtimeve, më shumë në pyllëzimin e vendit, dhe jo më shumë në shoqëritë e sigurimit.
Unë jam një qytetar me të ardhura normale që mund ta paguaj këtë prim sigurimi, por nuk jam i gatshëm t’ia jap këto para dikujt që bën sikur më siguron, kur sa herë që më është dëmtuar vetura ime nga aksidentet, apo dhe kur ma kanë djegur, asnjëherë nuk jam drejtuar tek shoqëria e sigurimit, pasi e kam pasur zero shansin për të marrë ndonjë para.
Mbi të gjitha, qeveria nuk mund t’i japë një produkt kaq voluminoz prej miliona eurosh për sigurimin e detyrueshëm të banesave, një tregu për të cilin nuk ka asnjë analizë risku serioze, asnjë transparencë për pagesat e tij dhe asnjë siguri që ata do t’i përgjigjen pasigurisë sonë.
Gjëja më e pasigurtë ende në Shqipëri nuk janë banesat apo ndërtesat, por shoqëritë e sigurimit. Rregulloni një herë ato, pastaj kërkoni para, pasi unë vazhdoj të besoj më shumë tek zoti, e të mbetem në dorë të tërmeteve, se sa në dorë të këtyre kompanive që kanë një “sig”, para apo pas./Tema
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu