Kryesore
Protesta e 3 marsit, Berisha: Objektivi ynë është vetëm Rama, jo gjykata
Protesta e së enjtes para Parlamentit dhe ajo kombëtare e thirrur në 3 Mars ishin fokusi kryesori i Sali Berishës gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD.
Tubimin që do të mbahet paralelisht me seancën plenare, kreu demokrat e cilësoi si ditë prove të fortë.
“RamGonigali nuk duhet të hyjë në parlament. Edhe po hyri, duhet të mbetet nën presionin e tmerrshëm të revolucionit aty ku është, brenda parlamentit”, tha kreu i demokratëve.
Berisha u ndal të qartësonte synimin që sipas tij ka protesta kombëtare që do të mbahet nga PD në 3 Mars, ditë kur Gjykata e Apelit pritet të shqyrtojë vlefshmërinë e vendimit të shkallës së parë që miratoi vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit 2021.
“Theksoj se protesta ka vetëm një objektiv: Edi Ramën, Edi Ramën, Edi Ramën. Nuk ka të bëjë as me gjykatën, as me institucionet e tjera. Ne nuk bëjmë veprime në paragjykim. PD e ka vendimin e gjykatës”, shtoi Berisha.
Gjithsesi, një mesazh ia dërgoi gjykatës.
“Gjykimi është për të pranuar palë Alibashën. Pse e bëri Blerina Muçi nën ndikimin e Edi Ramës dhe Yuri Kim, të tjerë nuk mund ta bëjnë një akt të tillë sepse përmbyset sistemi i drejtësisë. Nëse shpall palë atë që nuk ka qenë palë, t’i hap rrugën e rrëzimit të çdo vendimi gjyqësor me urdhra politikë”, deklaroi Berisha.
Ndërsa vendimin e autoriteteve italiane, për t’i dhënë azil politik ish-prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla, e përshëndeti.
“Nuk them se Llalla ishte një prokuror i fortë apo pa të meta, por shqiptarët duhet ta dinë se Adriatik Llalla u sanksionua sepse guxoi të denoncojë kompanitë e Sorosit. Sapo njoftoi Kongresin e SHBA për këto veprime, ai në mënyrë hakmarrëse, u shpall non-grata”.
Berisha ftoi autoritetet italiane të hetojnë më tej, pasi sipas tij dënimi me 2 vjet burg i Llallës në Shqipëri nuk është thjeshtë një vendim diskriminues.