Kryesore
Cila nga qendrat tregtare ka fitimet më të larta?
Teksa numri i qendrave tregtare sa vjen e shtohet, disa prej tyre po arrijnë të dalin me fitime, madje tepër të larta, ndërsa të tjera janë ende me humbje, apo dhe të zhytura në borxhe.
TEG është qendra më e madhe në vend nga qarkullimi vjetor, në pronësi të Mane TCI, në vitin 2015 kishte një xhiro prej 1.1 miliardë lekë, duke u rritur me 19%, ndërsa për herë të parë TEG rezultoi me fitim prej rreth 30 milionë lekësh.
Situata është përmirësuar në 2014-2015, pasi në këtë qendër, hyri grupi Inditex me markat e veta Zara, Bershka, Massimo Dutti, Pull&Bear. TEG segmenton klientët e mesëm dhe ata që kërkojnë çmime të lira. Nga ana tjetër, në vitin 2015, kjo qendër futi një prej markave më të mëdha në fushën e ushqimit e pijes, pjesë e grupit Yum, siç është edhe KFC (Kentucky Fried Chicken), ardhja e të cilit në tregun shqiptar, për ekspertët është një sukses, që tregon maturim.
Abba Center- Coin (në pronësi të Gener 2) është qendra e dytë më e madhe tregtare në vend, me një qarkullim vjetor prej rreth 770 milionë lekësh, me një rritje prej 8.6% me bazë vjetore, duke përbërë rreth 17% të të ardhurave të Gener 2, sipas të dhënave të detajuara në bilanc.
Qendra Tregtare Univers (QTU), edhe kjo në pronësi të Mane TCI, që në fund të vitit 2014 ka dalë me NIPT më vete, ka deklaruar një qarkullim vjetor prej 387 milionë lekësh dhe një fitim neto prej 264 milionë lekësh, duke qenë qendra më fitimprurëse në vend, me një normë fitimi prej gati 70%.
City Park vijon të jetë problematike, duke pasur sekuestro të shumta konservative si rrjedhojë e moskryerjes së pagesave. Për vitin 2013, në të dhënat më të fundit që kompania ka dorëzuar pranë QKR, ka deklaruar një qarkullim vjetor prej 522 milionë lekësh (3.7 milionë euro) me një rënie me rreth 16% me bazë vjetore. Kompania rezultoi me një humbje prej 165 milionë lekësh, nga fitimi prej 278 milionë lekësh i vitit të mëparshëm. Humbjet erdhën tërësisht si rrjedhojë e tkurrjes së të ardhurave, ndërkohë që shpenzimet arritën të mbaheshin nën kontroll. Momentalisht, menaxhimi i qendrës ka ndryshuar, që ka sjellë bashkë me të një frymë të re marketimi dhe numër dyqanesh të reja të pranishme në qendër, pjesa më e madhe e të cilave sërish me target luksi.
MSA Konstruksion, që ka në pronësi Tirana Ring Center, të hapur në maj 2015, ka parë një rritje të ndjeshme të të ardhurave, nga 197 milionë lekë në 2014-n, në 634 milionë lekë në 2015-n, ndërsa fitimi pas taksave ishte 279 milionë lekë, sipas bilancit zyrtar.
Erjol & A shpk, që në fillim të vitit 2013 bleu përmes përthithjes qendrën tregtare Casa Italia Tirana ka raportuar në 2015-n një qarkullim vjetor prej 73 milionë lekësh, me një rënie prej 16% me bazë vjetore. Pavarësisht rënies së xhiros, fitimet neto janë rritur nga 2.4 milionë lekë, nga vetëm 390 mijë lekë një vit më parë./Monitor
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu