Kioske
78-vjeçari në ëndërr-makthet tuaja
Nga Andi Bejtja
Burri 78-vjeçar, Sali Berisha, skena e ringritjes pas grushtit halabak të porositur, do jetë përnatë në ëndërr-makthet e atyre që e kanë porositur.
Babai 78-vjeçar, Sali Berisha, do jetë përnatë në ëndërr-makthet e fëmijëve të atyre që e kanë porositur.
Politikani Sali Berisha do jetë përnatë në ëndërr-makthet tuaja: -të atyre politikanëve që duan t’ia marrin partinë me gjykatë,
-të atyre gjykatësve që po tentojnë të bëjnë të njëjtën gjë,
-të atyre politikanëve që nuk e lënë të flasë më shumë se dy minuta në parlament,
-të atyre pronarësh mediash e gazetarësh bashkë, që gati-gati e nxorën një të ashtuquajturën vërtetim mjekësor të agresorit para se të godiste me grusht,
-të atyre policëve me uniformë e pa uniformë që vazhdojnë e gënjejnë e gënjejnë,
-të atyre diplomatëve që për interesat e tyre personale nuk e kanë për gjë të grisin e të fundosin dhe atë pak demokraci në Shqipëri.
Burri 78-vjeçar që ngrihet fill pas grushtit të porositur, do prishë me dhjetëra, qindra gjumëra përnatë, për një kohë të gjatë, do jetë makth për ata që e porositën dhe ata dhjetëra qindra që po i shërbejnë porositësve, por në të njëjtën kohë do jetë dhe minimumi një buzëqeshje e pavetëdijshme në gjumë, për ata që nuk e kanë vendosur akoma të ikin nga ky vend.
Burri 78-vjeçar që ngrihet fill pas një grushti të porositur, sot nuk është as më pak e as më shumë po fiks 20 vjeç.