Kryesore
Ndodh edhe kështu, Sarkozy rikandidon për një Francë “të pamëshirshme”
Nuk janë vetëm Putin, Erdogan apo Bashar Al Asad që rikandidojnë. Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy njoftoi se do të garojë zyrtarisht për President i Francës në zgjedhjet e vitit 2017. Këtë e ka lajmëruar në një postim në Facebook ku shkruan: “ “I vendosur për të qenë kandidat në zgjedhjet presidenciale në vitin 2017. Mendoj se kam forcë për të udhëhequr këtë garë në një periudhë të trazuar të historisë sonë.”
61-vjeçari Sarkozy humbi presidencën në vitin 2012 nga socialist Francois Hollande, popullariteti i të cilit ka rënë ndjeshëm. Republikani Nikcholas Sarkozy ishte president i Francës nga viti 2007 deri në vitin 2012. Edhe pse gëzon mbështetjen e të djathtës, ai nuk ishte popullor për një pjesë të madhe të francezëve. Siç shkruan “Guardian”, shumë e quajtën “Presidenti i të pasurve”, ndërsa Franca që la pas kishte më shumë të papunë.
Megjithatë, ish-presidenti i Francës konsideron se shqetësimet që kanë shkaktuar sulmet e fundit terroriste në vend do të rrisin shanset e tij për rimarrë “timonin” e Francës. Së fundmi ai deklaroi se “Francës i është shpallur luftë. Nuk duhet të tregojmë mëshirë, ne duhet ta kalojmë frikën në krahun tjetër”. Sarkozy promovon një axhendë të ashpër kundër terrorizmit islamik dhe çështjeve të emigracionit për të fituar edhe mbështetjen e elektoratit të ekstremit të djathtë.
Në mënyrë të veçantë, Sarkozi propozon kufizimin e të drejtave që kanë të bëjnë me identitetin francez të fëmijëve të lindur nga prindër të huaj, ndalimin e shamisë muslimane në universitete, institucione dhe ndërmarrje publike si dhe dhe ndalimin e ushqimit alternativ në shkollat (ku ushqimet nuk përmbajnë mish derri) .
Duhet të jeni i kyçur në mënyrë që të mund të lini një koment Kyçu