Radar
Zgjedhjet vendore, ç’thotë Berisha për kandidatët e Alibeajt
Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka dhënë një prononcim për gazetarët jashtë ambienteve të Kuvendit. Ai është pyetur mbi deklaratën e Enkelejd Alibeajt se shumë shpejt do të nxjerrë emrat e grupit të tij për zgjedhjet lokale të 14 majit.
Berisha tha se “çdo kandidat që del është në emër të Edi Ramës. Kjo është shumë e qartë”.
Kryedemokrati shtoi më tej se Edi Rama kërkon të zhdukë Partinë Demokratike.
“Ne e kemi përcaktuar Edi Ramën si armikun numër një të Partisë Demokratike, si njeriun që kërkon të zhdukë opozitën dhe PD-në, por edhe si njeriun që do marrë përgjigjen më ndëshkuese për këto veprime. PD është në të drejtën morale, kushtetuese të këtij vendi për të qenë opozitë e pavarur”, tha Berisha.
Kujtojmë që Berisha hapi dyert e PD-së edhe për kritikët e tij, në mënyrë që demokratët të dilnin më të fortë në zgjedhje dhe me një kandidat, por grupi i Alibeajt, i cili po tkurret gjithmonë e më shumë, u tërhoq në momentin e fundit dhe vendosi të dalë i vetëm në zgjedhje.