Letersi
Disa poezi nga Ndoc Gjetja
LUTJE
O Zot, që fatet tona në dorë i mban
na ruaj nga shëndeti trashaman
na ruaj nga orekset e Sanço Pançes
na ruaj nga hija e rëndë e famës
na ruaj nga faqeputhjet helmuese të Judës
na ruaj nga orteku rrënimtar i turmës
na ruaj nga prejardhja prej shimpanzesë
na ruaj nga thyerja e timonit të kresë
na ruaj nga putra pushtetore e Njeshit
na ruaj nga engjëjt, na ruaj nga dreqërit
na ruaj përditë nga ftohja e miqësive
na ruaj, o Zot, secilin prej të gjithëve
unë ruhem vetë, o Zot, nga i ligu,
por ti më ruaj nga shoku dhe miku
DASHURISË
O perëndeshë e gjithëpushtetshme
e universit mashkull-femër!
Bëj ç’të duash me veten time
jam instrumenti yt i verbër.
Në jetë më solle kaq shumë dhembje
dhe shqetësime pa mbarim
po s’jam ankuar kundër teje
as me gojë e as me shkrim.
Të jam nënshtruar e të nënshtrohem
gjersa në botë të jem i gjallë
ndën pushtetin tënd të përbotshëm
më pëlqen të jem skllav
Ma ktheve gjuhën në përçartje
më bëre plak me shpirt fëmije
herë më hodhe qefinin krahëve
herë më ngrite gjer në yje.
Më hidh në zjarr, në det, në ferr!
Më hidh në baltë, më hidh në hon!
Veç të lutem mos më lër…
në atë vend ku ti mungon.
SIKUR
Ç’mrekulli do të kishte qenë
sikur të jepnin që sot dorëheqjen
presidenti dhe çdolloji ministri!
Dhe ta merrte pushtetin
Shpirti.
GJERGJ FISHTËS
Fort po shndrit e pak po nxeh
kjo e vërteta përmbi dhé!
Në politikën e gjithë krajlive
filli i lëmshit është lidhë nyje,
janë bërë një rrahja e puthja,
janë bërë një paqja e lufta,
janë bërë një tregu e miqësia,
janë bërë një burgu e liria,
janë bërë një gjoksi e shpina,
janë bërë një stomaku e zemra
në zgavër të gjoksit ka hyrë dhelpra
që e lot bishtin te buzëqeshja…
Shqipnia u kthye në Dreqistan
me plehra, smog e duf partish
në sofër të Atmes janë shtruar rrafshit
Palokë Cucat me tërë keqanat
që hanë e pinë me pare të pista
e Dedë Gjon Lulat lëpijnë pjatat…
Për ta gjetur të vërtetën
duhet sot t’i kthesh përmbys
disa mijë vargmale letrash
e çdo fjalë ta thyesh si arrën
mos ka brenda varrin tonë.
Por ballë për ballë me dhelpërinë
na mos vdekshim me gungë në shpinë!
Ani se, ani se.
NJËSHIT
Në rendin e pafund të numrave të plotë
matematikisht, ti je më i vogli
por, ti papritur u bëre i madh
në saje të zerove që të shkojnë pas.
AH!
Ah, të kisha gëzime sa ç’kemi partira
Të kisha dhoma sa ç’kemi ministrira
Të kisha shokë sa ç’kemi shefa
Të kisha miq sa ç’kemi gazeta
Të kisha mikesha sa ç’kemi vetura
Ah, të gjithë meshkujt të ishin burra
Të kishim njerëz sa ç’kemi banorë
Veç diellin lart të kishim epror.
GUVERNATORIT PONC PILATI
Zoti Ponc Pilati unë kam përshtypjen
Se vitet e fundit në guvernën tonë të varfër
Është shtuar përqindja e të sëmurëve psikikë
Dhe parashikoj një kataklizëm kombëtar
Prandaj me të ardhurat që vilen nga taksat
Shpenzoni pakëz për qetësimin e turmës.
Meqenëse Krishti nuk dihet kur kthehet
Hapni të paktën shtëpira publike.
EPITAF PËR VETEN
Këtu prehet ai që quhej Ndoc Gjetja
i cili pati ardhur gabimisht në botë
nga vetja e tepruar nxirrte vjersha
dhe gjithë njerëzit i quante shokë.
Kur pa që ëndrra kalkulohej me kompjuter
kur pa që idealet rrëzoheshin në kolltuqe
kur jepte buzëqeshje e merrte skërmitje
zuri sytë me dorë dhe vendosi të ikte.
Dhe shkoi e hyri në Manastirin e Unit
të shpëtonte shpirtin nga gjuhëligat e Lehjes
Pastaj e përcollën te banesa e fundit
me shpenzimet gratis nga Bashkia e Lezhës.
Në çastin e mbramë një hënë e përgjakur
e puthi në ballë dhe thirri: “Nënë”
Mos kërkoni të dini për të më tepër
se iku sikur të mos kishte qenë.
BUBURRECA E FATIT
Në çastin kur unë linda
Buburreca e fatit
Është nisur nga Himalaja
Që të arrijë një ditë
Te shtëpia ime.
Është nisur, e di
E di, që është nisur
Dhe po ecën, e di
E di, gjithashtu e di
Që do të vijë një ditë
Pas 7000 vjetësh.
ENCIKLIKË
Sot befas qielli i kujtesës m’u ça më dysh
dhe ndodhi para meje Zbulesa e Parë:
një univers i pasosur me rrëzëllime miqësish
të rroposura nga kataklizmi i ndarjes.
Përmes mjegullës dhjetëvjeçare të harresës
tash s’e kam vështirë të shoh ca fytyra miqsh,
që më patën pritur në oborr të Pilatit
në natën e gozhdimit tim në kryq.
O ish-shokë! O ish-miq! O të dashur ish-ër!
Po ju thërras sa trembem nga zëri im i çjerrë.
A e dëgjuat gjelin e profecisë pas mesit të natës
kur këndoi për të tretën herë?
E pra, profecia u bë: më humbët, ju humba,
ju humba, atje, në fund të kodrës së Kalvarit.
Vallë, a ju kujtohet ajo darka jonë e fundit
kur ju pata larë këmbët me duart e mallit?
Pas dyzet vjetëve, ju do të vini vëllezër
të më përqafoni tek Udha e Madhe e gjithë Mirësive,
por nuk do të më gjeni dot, mua, Shën Budallain
që ju pata dhënë dashuri të pakthyeshme.